Këtë të Mërkurë, kryeministri Edi Rama ishte në Pogradec ku inspektoi infrastrukturën e qytetit dhe diskutoi me organizatat partiake. Në konferencën për shtyp ai u shpreh se Shqipëria është në një fazë transformimi dhe PS nuk po i zhvillon takimet për zgjedhjet e 2025-ës, por për përfshirjen sa më masive të njerëzve në projektet e përbashkëta.


“Mënyra si po zhvillohen gjërat në Shqipëri janë një arsye më shumë që t’ju japim njerëzve përtej kufijve partiakë. Vota nuk është biletë për stadium, nuk është një çështje zemre me symbyllur ndaj realitetit dhe mendjen të fjetur për të mos parë dhe kuptuar racionalisht se çfarë të vlen më shumë. Por përtej kësaj, ky nuk është proces se ne po e bëjmë se kemi zgjedhjet nesër. Ne na duhet të krijojmë kushtet optimale të ndjerjes së njerëzve të përfshirë, të dëgjuar, respektuar dhe të angazhuar. Pasi kjo na jep mundësinë që t’i bëjmë gjërat me shumë më tepër fuqi. Pogradeci ku jemi sot është një tjetër shembull kuptimplotë i faktit që PS është padyshim të qenit e pagabueshme, por është garanci për progresin.”

Ai theksoi se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që garanton progres.

 “Sa herë që e kundërta ka ndodhur dhe fatet e komunitetit i janë lënë dikujt tjetër, komuniteti vetë ka parë se gjërat kanë ngecur. Për ta thënë butë, se në shumë raste gjërat kanë degraduar. Po të shohim kontekstin e përgjithshëm Shqipërisa sot është në një fazë transformimi historik, fazë që nëse përmbyllet si duhet nuk ka kthim mbrapa. Shkohet në një tjetër nivel dhe pastaj synohet tjetër nivel. Duhet të garantojmë vazhdimësinë e progresit, prandaj duhet PS. Të jesh anëtar i PS duhet të ndjesh impaktin e përgjegjësinë që ka PS dhe për ta parë të sotmen, ku çdo ditë ndodh një ndryshim i vogël”, përfundoi kreu i qeverisë./tvklan.al