Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka marrë pjesë ditën e sotme në konferencën me temë “Rritja e përpjekjeve për një qasje të fokusuar në viktimat në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”.

Pas konferencës, ministri Balla ka mbajtur një prononcim për mediat ku ka njoftuar se një operacion i madh ndërkombëtar i inicuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK ka arritur rezultate spektakolare.

Teksa nuk ka preferuar që të japë të tjera detaje, ministri Balla ka thënë se do të jetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rrumbullaku ai që do të bëjë publike rezultatet e këtij operacioni pas disa orësh.

Taulant Balla: Drejtori i Përgjshëm i Policisë së Shtetit diku pas mesditës do të ketë një komunikim të rëndësishëm lidhur me një operacion të madh ndërkombëtar të inicuar nga Policia e Shtetit në bashkëveprim dhe me punën e shkëlqyer të SPAK me rezultate që do i quaja spektakolare, por që duroni dhe pak orë deri ku Drejtori i Përgjithshëm të njoftojë këto rezultate të cilat shpresin qartë angazhimin e qeverisë shqiptare kundër këtij fenomeni që është luftë globale.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj ka mësuar se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, SPAK dhe autoritetet e huaja. Janë përfshirë 26 persona në këtë aktivitet kriminal, mes tyre dhe 4 punonjës policie. Bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal të trafikut të qenieve njerëzore. Sipas burimeve ky grup kriminal ka të bëjë me trafikimin e klandestinëve. Për më shumë detaje, pritet deklarata zyrtare e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. /tvklan.al