Të ftuar:

Robert Rakipllari,

Preç Zogaj,

Artan Hoxha

I ftuar në studion e emisionit “Opinion”, Robert Rakipllari ka treguar sesi ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është kërkuar që të shkarkohet që mbrëmjen e djeshme. Sipas tij, kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka rënë dakord me zgjidhjen që Manjani të jap dorëheqjen, të cilën ai e ka refuzuar dhe ditën e sotme janë detyruar ta shkarkojnë atë. Rakipllari beson se Manjani në deklaratat e tij, përveç elementeve të shtuara nga karakteri i tij, për shkak të marrëdhënieve të ndërlikuara më Ramën, ka folur në emër të LSI-së. “Manjani ka bërë direktivat e LSI-së në qeveri”- thotë Rakipllari. “LSI ka pranuar shkarkimin e Manjanit dhe kjo në përfundim tregon se konflikti PS-LSI nuk i shërben interesit publik. “Lufta” luhet në pallatin e pushteti dhe pushteti është i ndarë në përqindje”- shton ai. Sipas Rakipllarit pushteti PS-LSI është i ndarë në përqindje me në këtë rast, Rama percepton se Manjani ka ndërhyrë  “me leje” në pjesën e tij. “Sot Rama është i fituar.”- tregon Rakipllari. Për ta përmbyllur mendimin e tij me humor ai tregon se sot koalicioni PS-LSI është si një çift i ndarë, por që jetojnë në një shtëpi për arsye të ndryshme.

Analisti Preç Zogaj, sonte, në studion e emisionit Opinion ka theksuar se kryeministri Rama nuk ka shkarkuar vetëm një ministër, por i ka dhënë një goditje kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Zogaj tha se Manjani nuk ka folur në kokë të vet, pasi shumë eksponentë të lartë të LSI-së, kanë bërë kritika ndaj qeverisë. “Disa prej tyre janë ministri Lefter Koka, deputeti Tavo dhe kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Manjani nuk ka folur në kokë të vet. Kemi të bëjmë me një mendim që është pjekur brenda kësaj partie. Ministrat dhe deputetët e saj flasin, pak a shumë, me një gjuhë. Një ministër nuk mund të flasë në atë formë ndaj qeverisë nëse do kishte një mendim personal. Por ai ka qenë pjesë e këtij mendimi të pjekur brenda kësaj partie”. Ai deklaroi se Meta nuk ka pasur plan për të shkarkuar ministrin Manjani, pasi njeriu që ka dalë më i goditur ditën e sotme nuk është Manjani, por është Ilir Meta. “Manjani i ka bërë punën mund të thoshim, duke folur në emër të partisë apo si partia. Shkarkimi i tij në kontekstin e deklaratave që ka bërë nuk është një gjë dokudo. Duhet të biem dakord për një gjë sot, se në vështirësi është Ilir Meta, ai ka lëshuar ministrin e vet, i cili ka folur me gjuhën e partisë. Mirëpo sot ka rënë ai miti se Ilir Meta nuk i shet njerëzit e vet. Njerëzit po i hodhe, duhet t’i mbrosh. Ose ndaloi”. Zogaj nënvizoi, ndër të tjera, se LSI ka hyrë në këtë betejë pa një plan. Ai tha se kjo është një qeveri, me gjithçka çfarë ka ndodhur, e prishur, por vazhdon të shkojë në punë. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është shkarkuar ditën e sotme, pas shumë kritikave të bëra për qeverinë. Ai ishte një nga zërat më të fortë dhe kritik brenda qeverisë Rama për një periudhë të gjatë. Ky shkarkim, shënon ndryshimin e tretë në Qeveri nga ana e LSI-së.

I ftuar në studionin e emisionit “Opinion” analisti Artan Hoxha ka komentuar shkarkimin e Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai është ndalur pak në aspektin kushtetues të qeverisë Rama duke u bazuar në ato që vetë Manjani ka deklaruar. “Qeveri që dominohet publikisht nga Kryeministri dhe ministrat janë aty vetëm për rolin kushtetues të tyre”- tregon Hoxha. Sipas tij, ish-Ministri i Drejtësisë, ashtu sikurse paraardhësi i tij, është ankuar së nuk i kanë ardhur draftet e kushtetutës së re sipas reformës në drejtësi. “Të përjashtosh ministrin e Drejtësisë nga reforma në drejtësi është anomali”- thotë analisti. “Manjani ka dërguar një mori ndryshimesh për Kodet e reje, dhe ato ktheheshin mbrapsht nga sekretari i Kryeministrisë, ndërkohë kërkesa të ministrave të tjerë janë zbatuar”- shtoi Hoxha. Për Artan Hoxhën, mbledhjet e Këshillit të Ministrave janë fiktive. “Kjo është anti-frymë dhe anti-kushtetuese” Hoxha është replikuar nga Rakipllari duke e pyetur se përse Manjani ka zgjedhur të flasë pas shkarkimit të tij dhe jo më herët. Ndërkohë për Hoxhës, ish ministri ka folur që në ditën e parë kur u emëruar. “Ka qenë ministri i parë që ka folur për kanabizimin e Shqipërisë. Ka qenë i pari ministër që foli për Balilin.” Hoxha mendon se akuzat e Manjanit erdhën si një sulm i LSI-së dhe nëpërmjet tij duhet ti jepte një mësim të gjithë aleatëve.

Analisti Preç Zogaj, në studion e emisionit Opinion, ka theksuar në lidhje me konfliktin e publikuar në media mes dy partive kryesore në koalicion; PS-LSI, se nuk është një debat që po zhvillohet për prarime brenda qeverisjes. Zogaj nënvizoi se në këtë debat kemi të bëjmë me disa tema që i ka zhvilluar opozita prej tre vitesh. Më tej, ai tha se këta duke qenë brenda, i mbushin me fakte akoma edhe më tërheqëse.

Blendi Fevziu:

Zogaj do hynë bashkë në zgjedhje apo jo? 

Preç Zogaj: 

Kjo është diçka e vështirë të parashikohet, sepse nëse e shikon ti në pyetjen e një analisti që referon përvoja të ngjashme apo referon laborator të politikës, mund të shkojnë bashkë. Por këta na zhgënjejnë vazhdimisht, këta nuk respektojnë asnjë ligjësi. Parashikimi është i vështirë pasi ligjësitë shkelen.

Lidhur me shkarkimin e ministrit të drejtësisë, Ylli Manjani kanë reaguar gjithashtu kryetari i Partisë Demokratike dhe Sali Berisha. Sipas Rakipllarit, Berisha ka bërë një deklaratë tipike politike, madje ai ka mbajtur krahun e Metës, në krahasim me deklaratën e Bashës i cili ka kërkuar shkarkimin si të Manjanit ashtu edhe të Ramës. Kujtojmë se Berisha nëpërmjet një statusi në llogarinë në Facebook njoftoi një ditë më parë shkarkimin e Manjanit. Në bazë të kësaj analisti Hoxha deklaron se “Berishës i del fjala dhe kjo vlen edhe për komentin e fundit në të cilin thotë së Manjani është i kërcënuar.” Një pyetje retorike është ngritur nga Rakipllari duke krahasuar dy  deklaratat e ministrave të LSI-së, atë të Kokës dhe të Manjanit. Rakipllari ka thënë se sipas Berishës Koka nuk është shkarkuar se ka prova, mirëpo në deklaratën e fundit Manjani ka denoncuar ekzistencën e videove të “ministrave me dashnore të Santa Quaranta”. “Diçka nuk shkon këtu”- thotë Rakipllari.

Gazetari Robert Rakipllari, sonte në Opinion, tha se ministri Ylli Manjani është shkarkuar në lidhje me deklaratën e bërë për të futur ushtrinë në luftën kundër kanabizimit të vendit. Rakipllari deklaroi se qeveria ka pasur një lloj muri që nga njëra anë kemi pasur opozitën e cila skiconte një Shqipëri të kanabizuar, ndërsa nga tjetra kemi pasur qeverinë por edhe Guardia di Finanza e cila theksonte se është kapur një sasi e madhe droge në vend. Më tej, ai theksoi se kishim edhe një zë brenda qeverisë, ku deklaronte se për të luftuar kanabizimin në vend, duhet të futet ushtria. Rakipllari nënvizoi se duke iu referuar deklaratës së sotme të ministrit Manjani, kjo është edhe arsyeja e shkarkimit të tij.

Pse LSI godet vetëm Ministrin e Punëve të Brendshme, ka qenë pyetja e ngritur në studion e emisionit “Opinion”, për të cilën Robert Rakipllari ka shprehur opinion e tij. Rakipllari thotë se LSI ka targetuar Tahirin, jo për arsye parimore, për arsye të interesit publik, por sepse nuk ka akses në pushtetin e Policisë së Shtetit. Sipas Rakipllarit, ndryshe nga ministritë e tjera ku janë ndarë “territoret” e pushtetit, në ministrinë e Tahinit, LSI nuk ka akses dhe as pushtet. Ndërsa për deklaratën ky Ylli Manjani thotë se është kërkuar shkarkimi i Saimir Tahirit nga agjenci të huaja inteligjence. Rakipllari përmendi emirin e shefit të CIA-s i cili, para pak ditësh ka qenë në disa takime në Tiranë. Nga ana tjetër Hoxha mendon se tashmë ka një mori faktesh si kriminalizimit, kanabisi, etj, për të kërkuar shkarkimin e Tahirit nga ndërkombëtarët. “LSI-së i ka hyrë frika se paraja që po qarkullon nga droga në vend, rrezikon zgjedhjet”- shtoi Artan Hoxha.