#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Vijon të jetë në qendër të vëmendjes ish-Presidenti i Republikës, ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili pas një lloj rikthimi tejet në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale, pas polemikave që ka pasur kryesisht online është rikthyer në studion e emisionit “Opinion” të hënën dhe në dy konferenca shtypi njëra pas tjetrës në dy ditët e fundit. Ilir Meta duket se në daljet e fundit të tij ka targetuar drejtpërdrejt kreun e SPAK, Dumanin. Nuk kuptohet tamam se çfarë po ndodh, por ka dy çështje që duket se dominojnë axhendën politike të Metës por në njëfarë mënyrë kanë dominuar edhe axhendën politike shqiptare. E para është raporti me Dumanin, e dyta është ajo që po ndodh brenda Partisë së Lirisë që tregon se midis Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, kryetares paraardhëse të LSI, duket se ka një lloj divorci politik. Sot, pas deklaratave të Metës ka pasur edhe një përgjigje të Kryemadhit, asnjëri nuk etiketon drejtpërdrejt tjetrin por kuptohet që kanë një ftohje midis tyre. Çfarë po ndodh realisht me ish-presidentin? Kush është strategjia e tij politike? Çfarë mund të sjellë përplasja e tij me Dumanin? Si do të krijohet rrjedha e brendshme e Partisë së Lirisë?

Paralajmërimi i Tedi Blushit: Janë gati 300 mijë “Vojo Kusha” për të ndaluar tentativën e pengmarrjes së Partisë së Lirisë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ashpërsuar tonet ndaj drejtuesit të SPAK Altin Dumani. Siç u shpreh në konferencë të mërkurën nga selia e partisë, të njëjtin qëndrim mbajti edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili në studion e emisionit Opinion akuzoi SPAK së bashku me struktura të tjera shtetërore që ka tentativa për ta marrë peng PL-në.

Blushi paralajmëroi se të gjitha tentativat për pengmarrjen e Partisë së Lirisë do të bëhen publike në Konventën e 27 Prillit të kësaj partie.

Sepse Dumani për fat të keq është bërë një vegël e shëmtuar e Edi Ramës që me manovra kriminale është përpjekur të krjijojë një situatë brenda Partisë së Lirisë. Ka tentuar duke marrë peng individë të caktuar. Metodat i di shumë mirë z.Dumani, ka një veprimtari kriminale jo vetëm ai por dhe struktura të tjera të shtetit përfshi SHISH. Ka tentativë për të marrë peng PL sepse ky është shqetësimi dhe për këtë z.Meta ka ngritur tonet. Konventa e 27 Prillit do t’i bëjë publike. Përpjekja kriminale për të marrë peng Partinë e Lirisë do dështojë në mënyrë spektakolare. Meta ka thënë janë 300 mijë Vojo Kusha jo vetëm brenda vendit por edhje jashtë vendit që janë gati të pengojnë përpjekjen kriminale për të marrë peng Partinë e Lirisë”, u shpreh Tedi Blushi.

3 çështjet kryesore për Metën në SPAK, gazetarja Daci jep detaje mbi dosjet hetimore

Çështjet kryesore për të cilat po hetohet kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta janë 3: CEZ-DIA, deklarimi i pasurisë dhe çështja e lobimit me SHBA. E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja e Klan News, Glidona Daci ka dhënë më shumë detaje në lidhje me hetimet për këto dosje në Prokurorinë e Posaçme.

Glidona Daci: Meta ka qenë 2 herë i thirrur në SPAK për çështjen CEZ-DIA. Ka qenë vetë dhe ka dhënë shpjegime për këtë çështje.

Blendi Fevziu: A ka dosje tjetër për Metën?

Glidona Daci: Janë 3 çështje që janë duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme. Nuk ka emër të regjistruar të Metës në Prokurorinë e Posaçme sepse në momentin që bëhet një kallëzim penal, automatikisht, Prokuroria e Posaçme regjistron një procedim që regjistrohet me një numër të caktuar në bazë të veprave penale që janë bërë në kallëzim.

Blendi Fevziu: Kush janë 3 çështjet?

Glidona Daci: Çështja CEZ-DIA, çështja e lobimit me SHBA dhe gjithashtu kallëzimi që ka bërë avokati Idajet Beqiri për çështjen e operacioneve jashtë vendit, çështja e deklarimit të pasurisë.

Blendi Fevziu: Ku ka shkuar SPAK me çështjen CEZ-DIA?

Glidona Daci: Janë pyetur thuajse të gjithë personat që kanë patur dijeni, përfshirë edhe Kastriot Ismailin. Ai është thirrur dhe ka qenë disa herë në ambientet e SPAK. Kjo çështje është drejt përfundimit, me të gjithë personat që kanë pasur dijeni, kanë shkuar dhe kanë dhënë shpjegime në dyert e Prokurorisë së Posaçme.

Blendi Fevziu: A është një çështje që do të shkojë shpejt për gjykim?

Glidona Daci: Do të ketë një vendimmarrje nga SPAK nëse do të ngrihen akuza mbi personat që janë kallëzuar.

Blendi Fevziu: Po çështja e deklarimit të pasurisë?

Glidona Daci: Hetimi i pasurisë përfshin Metën dhe Kryemadhin, vazhdon të hetohet. Po bëhet akt-eksperimi i celularit që është gjetur në banesë. Ky celular është pretenduar që i përket zonjës Kryemadhit, ndërkohë që ky celular është sekuestruar nga agjentët e BKH-së në banesën e mamasë së Kryemadhit.

Deklaratat e Metës për Dumanin, Abilekaj: Gjuha e përdorur është fyese dhe personale

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ashpërsuar tonet ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. Për të folur lidhur me këto deklarata ndaj kreut të SPAK nga Meta, i ftuar në studion e emisionit ‘Opinion’ në Tv Klan është edhe gazetari Enton Abilekaj, i cili shprehet se gjuha e përdorur nga ish-Presidenti është fyese dhe personale ndaj Dumanit.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij Abilekaj u shpreh se nuk mund të gjykojmë Dumanin derisa të njihemi me dosjen dhe se zgjedhjet e 2021 janë thelbi i gjithë kësaj që po ndodh në Partinë e Lirisë sot. Gazetari u shpreh se një kryetar partie në opozitë mund të bëjë kontroll, ndaj punës së SPAK, por jo mbi bazën e hallit personal.

Enton Abilekaj: Gjuha e Ilir Metës ndaj SPAK e para është personale dhe e dyta është fyese. Ilir Meta kur është hapur çështja në 2019 e CEZ-DIA nuk ka qenë Dumani, por ka qenë Arben Kraja, të cilin Ilir Meta nuk e ka sulmuar asnjëherë sepse e ka pasur edhe vartës në Kryeministri.

Silva Caka: Kemi pasur goxha reagime kur u mblodhën në një ditë të nxehtë gushti për të firmosur diçka në lidhje me autoritetin e dosjeve. Nuk mund të thuash se nuk ka pasur një lloj përplasje me zotin Kraja.

Enton Abilekaj: Se kemi dëgjuar të thotë. S’ka rëndësi, rëndësi ka që ky sulm është një sulm personal.  E dyta sulmet ndaj Dumanit nuk më duken as të besueshme dhe as të logjikshme. Ne do ta marrim… Nuk më duket shumë e besueshme kjo, gjithsesi kur një parti opozitare… Unë jam një kritik i punës së SPAK dhe qeverisë dhe kur e bëj këtë, e bëj në bazë të punës dhe dosjeve që janë në diskutim. Një kryetar partie në opozitë mund ta bëjë edhe këtë kontroll, por duhet ta bëjë këtë jo mbi bazën e hallit personal, por mbi bazën e punës që ka bërë SPAK, ku mund të përfshihet edhe halli i vet personal. Ne kemi një sulm të ndërtuar deri tani në një hall personal ku është përmendur edhe Berisha në këtë hall personal, por nuk është ngritur një analizë minimale që të tregojë pse SPAK…

Blendi Fevziu: Pse po e bën Meta këtë?

Tedi Blushi: Sepse ka pasur një tentativë për të sekuestruar Partinë e Lirisë përmes njerëzve të marrë peng.

Enton Abilekaj: Të arrish në konkluzion mbi ca fakte që nuk janë të njohura unë nuk mund ta gjykoj. Kemi një palë kundër një pale tjetër. Nuk mund ta gjykojmë Dumanin a ka bërë mirë që i ka hapur dosje Ilir Metës apo jo se unë nuk e di dosjen. Kur të shohim dosjen mund të japim mendim. Këto janë gjëra që nuk mund të aludosh. Kjo e Metës është çështje që ai e ka ndërtuar mbi marrëdhënie personale, pasi dyshon se Dumani është duke e hetuar për ta futur në burg. Vetëm kështu mund të shpjegohet. E dyta është se ne duhet të kuptojmë se 2021 është thelbi i gjithë kësaj që po ndodh në Partinë e Lirisë sot, pra reflektimi ndaj një ngjarje që ishte humbja, për shkak të blerjes së votave.

Tedi Blushi: SPAK-u po tenton të krijojë një forcë të re politike, pra të kthehet në parti

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, thotë se sipas tij, SPAK po tenton një forcë të re politike me ato që i quan “manovra”. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Tedi Blushi është shprehur se Ilir Meta nuk ka asnjë hall personal. Blushi shton se Meta është i qetë dhe kjo është arsyeja pse sipas tij, ai po bën deklarata të ashpra kundër Prokurorisë së Posaçme dhe drejtuesit të tij, Altin Dumani.

Mentor Kikia: Zoti Meta flet për burgun në të cilin Dumani dhe amerikanët e kërcënojnë. Me çfarë burgu e kërcënojnë Dumani dhe amerikanët?

Tedi Blushi: Meta e ka bërë të qartë, thotë se “kam 30 vite nën hetim” dhe ai e di këtë gjë.

Mentor Kikia: Është tjetër gjë të thuash “më kërcënojnë me burg dhe unë nga burgu do t’i shkatërroj”.

Tedi Blushi: Nuk ka asnjë hall personal të vetin. Për fat të keq, kemi sot një drejtues SPAK-u që i meriton ato fjalë. Ky nuk është faji i Metës. Problemi është se SPAK-u po tenton të bëjë një parti politike në Shqipëri. SPAK-u me këto manovra po tenton të krijojë një forcë të re politike, pra të kthehet në parti.

Andi Tela: Nëse ja duke i bërë puç Ilir Metës, kjo gjë do të kuptohet shumë thjeshtë. Vetëm i qetë që nuk është në këtë histori.

Tedi Blushi: Meta ngaqë është shumë i qetë bën këto deklarata, nuk ka asnjë siklet sepse një njeri i marrë peng, që ka firmosur diku dhe është i marrë peng, nuk flet ashtu.

Metor Kikia: Çfarë do të thotë që brenda Partisë së Lirisë ka njerëz të marrë pneg nga SPAK?

Tedi Blushi: Njerëz që nëpërmjet shantazheve kriminale të SPAK, për t’u bërë bashkëpunëtorë të SPAK për të krijuar situata të paqena në kushtet e presionit, pra Tedi ka firmosur një tender sikur, e ka thirrur ky zotëria dhe i thotë “m’u vi në shërbimin tim”.

/tvklan.al