#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Si çdo të martë në Opinion janë shqiptarët në botë, disa prej tyre janë emigrantë të viteve të para me gjithë vështirësitë e ikjes, janë ata që konsiderohen pionerët e parë të emigracionit, midis shumë të panjohurave, të tjerë janë të viteve të mëpasme deri tek brezi i fundit, i cili e ka emigrimin më të thjeshtë në kuptimin teknik, pra të logjistikës, të letrave, të dokumenteve, por që pa dyshim emigranti i vjetër apo i ri, emigracioni mbetet emigracion. Shumë prej tyre janë personazhe tejet të suksesshëm në vendet ku janë, të tjerë kanë një jetë normale, të gjithë ruajnë një raport me vendlindjen e tyre. Përzgjedhja e parë ka qenë një lloj shtrirje në hartën e botës, një lloj shtrirje nga vendet prej nga shqiptarët vijnë. Nuk janë vetëm shqiptarë të Shqipërisë, janë të Kosovës, të Maqedonisë, shqiptarë të Malit të Zi , një pjesë e të cilëve kanë emigruar edhe më parë. Në emisionin e kaluar një shqiptar i Kosovës kishte emigruar në Kajro në vitin 1975, thuajse 50 vjet nga sot. Sikurse ka emigrantë që janë larguar vetëm dy vitet e fundit. Janë fate dhe histori njerëzore nga më të çuditshmet. Emigracioni prodhon shpeshherë histori që ngjajnë si histori filmash, por pjesa më e madhe e tyre, pothuajse 90 % e atyre që janë intervistuar kanë një raport shumë të mirë me vendlindjen, madje një pjesë prej tyre shohin edhe mundësinë e rikthimit.

Dashuria për turizmin e çoi në Arabi, nipi i Petro Markos në “Opinion”: Jeta këtu s’është e thjeshtë

Të qenit pranë detit, të bën ta duash turizmin. Është kjo historia e Teo Strakoshës, i cili rreth 3 vjet më parë fitoi të drejtën për të punuar në Arabinë Saudite si menaxher bari. Nip i Petro Markos, lindur e rritur në Vlorë, dhe i dhënë pas informatikës.

Sonte në “Opinion”, Teo tregoi se jetesa në Arabi nuk është e thjeshtë e për t’iu përmbajtur kontratës së punës i duhet të lëvizë herë pas here edhe në Shqipëri.

Teo Strakosha: Kam ardhur dhe kam shkuar sepse në Arabinë Saudite është e vështirë të krijosh jetesë. Praktikisht atje shkohet nëpërmjet sponsorit, në këtë rast ajo leja e qëndrimit zgjat gjithmonë aq sa ke kontratën. Detyrimisht duhet të kthehesh dhe të bësh të njëjtën procedurë prapë.

-Nga cila zonë e Shqipërisë vjen? Mesa shoh je nipi i Petro Markos, apo jo?

Teo Strakosha: Unë vlonjat, lindur në Korfuz, por dashurinë me bregun e kam të madhe.

Ai rrëfeu se para emigracionit nuk ka provuar jetesën në ndonjë vend tjetër përveç Shqipërisë.

“Jam rritur në Vlorë derisa mbarova gjimnazin, më pas shkova në Tiranë për të kryer universitetin. Kisha atë dashurinë për informatikën, e kam akoma. Mirëpo të qenurit vlonjat afër detit e shërbimeve turistike më bëri të ndjek një kurs profesional për pjesën e menaxhimit të barit. Që prej atij momenti jam dashuruar me turizmin, më shumë sesa me informatikën.

“Merre burrin deputet mezor dhe sille…”, këshilla e Fevziut për Fluturën

Flutura Mazreku nga Rahoveci i Kosovës jeton prej vitesh në Kanada, ose më saktësisht në Otava. Këtë të martë në emisionin “Opinion” dedikuar për shqiptarët në botë, ajo pohoi për Blendi Fevziun se janë të vërteta lajmet që është fejuar me një deputet në parlamentin kanadez.

“Ja e shikojnë që vijnë thashethemet në Shqipëri dhe thashetheme të vërteta kështu që i marrim vesh gjërat”, tha Fevziu.

Ai është në Ontario afër Torontos, deputet në qeverinë qendrore të Kanadasë.

“E kam takuar në punë se unë 6 vite kam punuar në parlamentin kanadez kam qenë këshilltare, ai ka qenë deputet dhe thjesht jemi takuar si shumë njerëz që takohen në punë”, tha Mazreku.

Mazreku u shpreh se do ta sjellë në Kosovë dhe Shqipëri këtë vit burrin deputet dhe këtu mori një këshillë edhe nga Blendi Fevziu.

Blendi Fevziu: Po në Shqipëri ke ardhur për vizitë?

Flutura Mazreku: Këtë vit po martohem dhe po e marr burrin dhe do shkojmë në Shqipëri për t’ia treguar Shqipërinë dhe Kosovën sepse jam munduar t’ia tregoj sa të bukura janë dhe Kosova dhe Shqipëria, por dua t’ia tregoj.

Blendi Fevziu: Jo këtë e ke detyrim, duhet ta marrësh patjetër ndryshe thuaji ne e kemi traditë, po nuk erdhe në vendin e nuses nuk martohemi, kështu që merre mezor sille të shohë Kosovën, Shqipërinë edhe pjesën e Malit të Zi.

Flutura Mazreku: Ai mezi po pret se ka dëgjuar shumë për Kosovën. Unë gjithmonë i flas për Kosovën i flas dhe për Shqipërinë, kështu që mezi po pret.

Blendi Fevziu: Paske detyrë që jo vetëm të vijë, por të vijë dhe të dalë i kënaqur nga Shqipëria. Kështu që të sugjeroj ta sjellësh në pjesën e jugut dhe në malet e veriut. Kosovën e di vetë pastaj./tvklan.al