Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një orë mësimi me fëmijët e Kopshtit 20 në Njësinë 3, të cilëve u shpjegoi rëndësinë e ndarjes së mbetjeve në të riciklueshme dhe të pariciklueshme, nismë e cila do nisë të zbatohet shumë shpejt në kryeqytet. Në bisedën me fëmijët, ai theksoi rëndësinë që kanë ata për të ndihmuar në ndërgjegjësimin qytetar, që ky proces të zbatohet me sukses nga familjet kryeqytetase.

Teksa përuroi ambientet e reja tërësisht të rikonstruktuara të këtij kopshti, i shoqëruar edhe nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Veliaj u ndal te rëndësia që ka edukimi i fëmijëve me nevojën për të mbajtur pastër ambientin e përbashkët, si një mundësi për të ndërgjegjësuar prindërit e tyre që të respektojnë procesin e ndarjes së mbetjeve nëpër kazanët e rinj që do vendosen së shpejti në qytet.

Ai theksoi se në të gjithë kopshtet e Tiranës do të nisë një orë mësimi me fëmijët për mënyrën se si ata duhet të bëjnë ndarjen e mbetjeve urbane në burim, si një nga mënyrat më efikase për të mbajtur qytetin pastër dhe për të shmangur çdo mundësi për të ndërhyrë në kazanët e vendosur nëpër qytet.

Veliaj shprehu kënaqësinë që qytetit të Tiranës i shtohet edhe një kopësht i rikonstruktuar falë kontributit të bashkisë dhe Albtelecom, duke bërë të mundur ofrimin e ambienteve dhe kushteve më të mira për fëmijët. Ai nënvizoi se ky është kopshti i 25 në total që tashmë është rikonstruktuar totalisht, ku 23 prej tyre u rikonstruktuan falë kontributit të donatorëve, që iu bashkuan nismës “Adopto një Kopësht”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, falenderoi Bashkinë e Tiranës për gjithë punën që po bën për fëmijët e qytetit, ndërsa garantoi se edhe edukatorët që shërbejnë në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës do t’i përgjigjen me mësimdhënien e tyre standardit të lartë që ofrojnë tashmë këto institucione./tvklan.al