Banka OTP Albania ka festuar përvjetorin e saj të pestë të prezencës në tregun shqiptar, tashmë si një nga bankat më të mëdha dhe me shtrirjen më të gjerë.

Kryetar i Bordit Mbikëqyres i OTP Bank Albania, Gabor Kolics, vlerësoi ecurinë e bankës OTP në tregun shqiptar dhe arritjen e objektivave në një kohë tepër të shkurtër, tha se ambicia e kësaj banke nuk ndalet këtu.

“Ishte vendimi më i mirë që banka OTP mund të ndërmerrte në 5 vitet e fundit, hyrja në tregun shqiptar. Siç dhe ju e dini, OTP Bank Albania është një ndër bankat me rrjetin më të gjerë të mbulimit në gjithë territorin. Ne jemi numri një gjithashtu në Serbi, Slloveni, Malin e Zi e Bullgari, duke krijuar kështu pozitë dominuese në Ballkan. Kemi plane ambicioze për Shqipërinë për të zgjeruar tregun dhe shërbimin, pasi shohim një ndër ekonomitë që po rritet me ritme më të shpejta në rajon”.

OTP Albania ka strategji me fokus rritjen në treg dhe në kredidhënie duke ofruar dhe norma interesi shumë të mira. Drejtori i Përgjithshëm i OTP Bank Albania, Bledar Shella, u shpreh se ky institucion është një ndër kontributorët më të mëdhenj në ekonominë e vendit për shkak të mbështetjes së lartë të kredidhënies si për bizneset ashtu edhe për qytetarët.

Sot Banka OTP Albania i shërben rreth 400, 000 klientëve dhe ka fokus të posaçëm tek të rinjtë dhe zgjidhjet inovative e praktike. Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, banka OTP Albania shërben edhe si urë për investimet bashkëkohore.

Bankës OTP Albania i është akorduar nga Euromoney për katër vite rresht, çmimi: “Best Bank”, ndërsa është vlerësuar edhe me disa çmime të tjera nga The Banker.

Tv Klan