Shtyhet seanca e konstituimit të Kuvendit

Përzgjedhja e emrave të rinj për Ministra nga radhët e BDI-së duket se ka shkaktuar përplasje mes anëtarësisë partiake pak para vazhdimit të seancës konstituive të parlamentit të Maqedonisë së Veriut ku Talat Xhaferi duhet të rizgjidhet në postin e Kryeparlamentarit. Edhe pse lideri I BDI-së mbrëmë e paralajmëroi këtë seancë duket se Degët e BDI-së në Çair dhe Saraj të Shkupit kanë shfaqur pakënaqësi nga emrat që u gjetën në listën e ministrave konkretisht me emrat e Artan Grubit dhe Bujar Osmanit.  

Ndryshe, mbledhja e djeshme e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së ishte bojkotuar nga Deputetët e Shkupit Izet Mexhiti dhe Arben Ziberi, kurse përflitet se ata nuk do të marrin pjesë në votimin për rizgjedhjen e Xhaferit në krye të Kuvendit. Deputetë të BDI-së sot nuk janë prononcuar rreth kësaj çështjeje duke mohuar se ka përplasje brenda partiake.

Me zgjedhjen e Talat Xhaferit duhet të zyrtarizohet shumica parlamentare. Sipas shifrave, shumica do të kishte 62 deputetë. Kryeparlamentari zgjidhet me 61 vota nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Pas zgjedhjes, Kryetari i Kuvendit duhet të thërrasë seancën për të votuar Qeverinë që do të udhëhiqet nga lideri socialdemokrat Zoran Zaev. Afati për dorëzimin e propozimit për Qeverinë e re është 2 Shtatori. 

Klan Macedonia