Vendimi i të premtes për dënimin e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është vijim i vendimit të marrë në 2019 nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda, por me ndryshimin që nuk do i konvertohet në shërbim prove.

Ish-ministri i Brendshëm u vu nën hetim Nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i Tahirit përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por nuk kishte prova të mjaftueshme. Në Mars organi i akuzës zhvilloi seancën përballë Komisionit të Mandateve ku kërkoi heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Saimir Tahirit.

Në Maj të vitit 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.

Vendimi u ankimua dhe Gjykata e Apelit nga ana e saj, në Qershor të vitit 2020, e riktheu për rishqyrtim në Shkallë të parë. Ankimimi i këtij vendimi në Gjykatën e Lartë, pasoi vitin e kaluar, me prishjen e atij vendimi për shkak të “shkeljeve procedurale” gjatë procesit, dhe rikthimin e çështjes sërish në Apel me një tjetër trupë gjykuese, e cila u shpreh këtë të premte.

Klan News