Hartimi i programit qeverisës për këtë mandat të dytë krejtësisht socialist të kabinetit Rama, ka mbledhur në Velipojë anëtarët e qeverisë në një mbledhje jozytare.

Për 2 ditë, të gjithë ministrat do të raportojnë mbi strategjitë që ata kanë hartuar për drejtimin e ministrive që ju janë besuar. Shumë prej ministrive në këtë mandat të dytë kanë pesuar transformime duke u shkrirë apo bashkuar, ndaj dhe ministrat duhet të kenë gati planin e drejtimit menjëherë porsa të ulen në karriget e tyre pas betimin përpara Presidentit të Republikës.

Në këtë mbledhje do të përcaktohet dhe vendndodhja e godinave të reja ku do të vendosen ministritë e ristrukturuara. Ky është takimi i dytë i kabinetit të ri pas atij të Llogarasë një javë më parë.

Sërish në mbledhje morën pjesë dhe Gramoz Ruci i propozuar nga Rama si kryetar i ri i parlamentit dhe Taulant Balla si kreu i grupit kuvendor. Prania e tyre lidhet jo vetëm me prioritetin e vendosur nga kryeministri për një koordinim të plotë mes qeverisë dhe grupit parlamentar, por dhe me diskutimin për përzgjedhjen e emrave që do të drejtojnë komisionet parlamentare.

PS e ka bërë të qartë se do të propozojne që 3 nga 8 komisionet parlamentare, t’i lihet drejtimi opozitës dhe konkretisht komisionit të integrimit, medias dhe  shëndetësisë. Të shtunën është thirrur mbledhja e parlamentit te ri ku do të bëhet betimi i kryetarit të ri dhe 140 deputetëve të kësaj legjislature. Tv Klan