Gjatë prezantimit të drejtorit të ri të AKU-së, Kryeministri Rama ishte i prerë të hënën kur tha se  “AKU-ja nuk do të duket më në dogana” pasi po abuzojnë, ndërkohë që në krahun tjetër tha se institucioni është kthyer në një grup gjobëvënësish.

Të njëjtën ditë, sipas Policisë së Korçës në pranga kanë përfunduar dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit-Korçë, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” pasi favorizuan 62-vjeçarin Vangjel Teodor, të kalonte nga Maqedonia drejt Shqipërisë një sasi të konsiderueshme rrushi industrial.

Feridon Ibi, 55 vjeç dhe Dashamir Çaushi, 63 vjeç, akuzohen se i përpiluan një raport fitosanitar për tjetërsimin e cilësisë të këtij produkti, nga mall me akcizë në mall pa akcizë, me qëllim që të shmangte detyrimet doganore. 

Teodor u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Qafë Thanë-Pogradec, duke transportuar me mjetin e tij tip furgon me targa PG 4046 B, një sasi prej 4600 kg rrush, të vendosur në 230 arka.

Nga verifikimet e kryera dyshohet se ai ka falsifikuar deklaratat e origjinës së mallit pasi ka bërë shmangien e një sasie prej 2300 kg të kësaj sasie, si edhe ka ndryshuar varietetin e këtij produkti në praktikën doganore, duke mos e deklaruar se shërbente për prodhim industrial.

Në vijim të këtij rasti, dy inspektorët e AKU-së, dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën, pasi kanë përpiluar një raport fito-sanitar duke tjetërsuar cilësinë e këtij produkti (ku sasia më e madhe e tij shërbente për prodhim industrial).

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti tip furgon dhe sasia e produktit./tvklan.al