Një taksist nga Durrësi u dhunua, u fut në bagazh të makinës së tij dhe më pas u la në mes të rrugës. Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën në Vlorë.

Burime zyrtare sqarojnë se 48-vjeçari Bujar Elezi kishte marrë dy pasagjerë në Durrës për t’i dërguar në Vlorë. Por në afërsi të rrugës Levan-Fier, dy personat në fjalë e kanë rrahur taksistin dhe e kanë futur në bagazh të mjetit, për ta lënë më pas midis fshatrave të Kërkovës dhe Bunavisë. Autorët i kanë marrë makinën Benz dhe janë larguar.

Taksisti 48-vjeçar është dërguar në spital ku ka marrë mjekimin e nevojshëm dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Prej mbrëmjes së djeshme janë organizuar shërbimet Policore dhe janë ngritur pika të shumta kontrolli me qëllim kapjen e autorëve. Për dokumentimin e plotë të ngjarjes po kryhen hetime të përbashkëta mes Drejtorisë së Policisë Vlorë, Fier dhe Durrës. Gjithashtu po bashkëpunohet për kapjen e autorëve edhe me Policinë e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës”

, thotë policia në një njoftim të sajin, ndërsa shton se 

“për arsye hetimi nuk bëhen të ditur më tepër të dhëna. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanve të ngjarjes”.

Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pasi një tjetër taksist u plagos në Himarë. Dy persona, të cilët ishin pasagjerë në makinën e taksistit 70-vjeçar e qëlluan atë me armë imituese, pasi i kërkuan të ndryshonte rrugë, por ai nuk pranoi. /tvklan.al