Ish – Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi se nuk do të jetë në garën për kreun e ri të partisë. Përmes një statusi në faqen zyrtare në Facebook, Patozi sqaron se arsyeja e këtij vendimi është fakti se Lulzim Basha nuk ka pranuar asnjë nga kërkesat e tij që synonin të vendosnin rregulla të barabarta për një garë të ndershme. Në këtë mënyrë, thotë Patozi, Basha asgjësoi zgjedhjet në parti.

“Kryetari i vetëngrirë i PD-së, Lulzim Basha, mori sot të gjitha përgjegjësitë për prishjen e një gare të drejtë, duke refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat tona të arsyeshme për zhvlimin e një procesi të paanshëm, gjithëpërfshirës dhe të pandikuar. Lulzim Basha nuk pranoi të jape dorëheqjen dhe as të lëshojë zyrën, si kushti minimal për t’i dhënë garës paritet në start; vendosi të ruajë si monopol aksesin tek lista e anëtarësisë si dhe po vrapon të zhvillojë zgjedhje të nxituara për tëmos u dhënë mundësi të tjerëve të bënin një fushatë normale. Vrau çdo mundësi për të analizuar rezultatin dhe për të gjetur arsyet kokëforta të humbjes së thellë të PD-së me 25 qershor”.

Për Patozin, Basha është përgjegjës jo vetëm për humbjen e thellë në zgjedhje, por dhe për asgjesimin e Partisë Demokratike.

“Në këto kushte, kur nuk garantohen as elementet bazikë për zhvillimin e një konkurrimi normal, Lulzim Basha mbetet sot përgjegjësi i vetëm, jo vetëm për rezultatin katastrofik të PD në zgjedhje, por dhe për bllokimin e një gare, që do t’ i jepte asaj shansin e vetëm për t’u ringritur. Lulzim Basha ka marrë përsipër nisjen dhe përfundimin e një farse të shëmtuar elektorale, që thellon akoma më shumë përçarjen dhe krizën e thellë të PD. Lulzim Basha pasi shkatërroi PD dhe të djathtën në zgjedhje, po vazhdon me asgjësimin përfundimtar të asaj, që mbeti prej tyre për shkak të tij”.

Masakra elektorale e Lulzim Bashës, argumenton Patozi nisi me shkeljen e statutit, ndaj dhe në këto kushte demokratëve, sipas tij u mbetet vetëm një mision për të përmbushur.

“Ky ishte detyrim i panegociueshëm që procesi të kthehej në shina statutore. Kjo nuk ndodhi. Bashkë me të edhe edhe të gjitha kërkesat e tjera. Ndaj është fare e qartë për të gjithë. Pas kësaj, demokratëve u lind e drejta e çdo lloj forme reagimi për të mos lejuar rrëmbimin pa garë të mandatit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, personi që e çoi atë në humbjen më të rëndë të historisë së saj dhe po e çon me bindje drejt shkatërrimit përfundimtar”.

Edhe të tjera figura të grupit që folën kundër Bashës pas zgjedhjeve, që nga Topalli, Imami, apo Bregu, nuk u futën në garë, pasi sipas tyre nuk u krijuan kushtet. Por pavarësisht kërkesave të tyre, Lulzim Basha vendosi të kërkojë rikonfirmim dhe të mos tërhiqet nga vendimi për të mos dhënë dorëheqjen. Kryesisë e Partisë Demokratike do te mblidhet në orën 19.00 për miratimin e kandidaturave në garë dhe për ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe kontrollit të Operacioneve Elektorale.

Tv Klan