Partia Demokratike i është rikthyer sërish akuzave ndaj Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj.

Opozita thotë se njeriu i përzgjedhur nga Kryeministri Rama për të luftuar krimin në radhët e gjyqësorit ka të implikuar të vëllanë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe ka përdorur pushtetin për të ndaluar zbatimin e ligjit për vëllain.

Enkelejd Alibeaj, Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD:

“Antimafia italiane i ka dorëzuar policisë shqiptare përgjimet për 7 rastet e evidentuara ku është përfshirë drejtpërdrejtë Agron Xhafaj, në importimin, furnizimin, shpërndarjen dhe shitjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme të Italisë. Por i përzgjedhuri nga Edi Rama për të luftuar korrupsionin në drejtësi ka përdorur të gjitha levat e pushtetit për të ndalur zbatimin e ligjit edhe pse shteti italian i ka sjellë të plota përgjimet e bëra për Agron Xhafën, vëllain e Fatmir Xhafës, prova këto që faktojnë përfshirjen e tij në trafik droge.”

Opozita thotë se mbrojtja që Kryeministri Rama i bën Fatmir Xhafajt rikonfimon planin e tij për kapjen e drejtësisë. Sipas Partisë Demokratike, Agron Xhafaj  rezulton të jetë pjesë e një trafiku ndërkombëtar droge, ndaj të cilit thotë se, ka edhe një kërkesë ekstradimi nga Gjykata e Lartë e Venezuelës.

Tv Klan