Një ditë pasi kritikët e akuzuan nga Kuvendi Kombëtar se përmes ndryshimeve të reja statutore ka marrë peng Partinë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar nga mbledhja e Grupit Parlamentar nisjen e zgjedhjeve në bazë.

Ndryshimet e reja statutore i hapin rrugë procesit të ri elektoral në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Burime nga mbledhja e grupit të demokratëve thonë se, brenda javës pritet të dalë udhëzimi për nisjen e këtij procesi që përfshin seksionet, grup seksionet dhe krerët e degëve.

Pasi të ketë përfunduar në bazë, ky proces do të nisë edhe me struktura e reja drejtuese të Partisë Demokratike, për t’u bërë gati për betejën elektorale të Qershorit të 2019-ës.

Por pavarësisht zgjedhjeve në parti, demokratët nuk do të heqin dorë nga mbështetja e protestave popullore, si dhe do të vijojnë bojkotin e komisioneve parlamentare, përveç atyre që kryesohen nga opozita, si është ai hetimor për ish-Ministrin e Brendshëm, apo dhe Komisioni i Reformës Zgjedhore.

Edhe këtë të enjte, çështja “Tahiri”, si dhe ajo e burgosjes së protestuesve kuksianë do të jenë pjesë e aksionin të opozitës në parlament.

Tv Klan