Partia Demokratike publikoi sot një foto, që sipas saj, tregon gjendjen e mbetjeve në zonën turistike të Gjirit të Lalzit.

Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji ishte në terren për të treguar se në Shqipëri male të mëdha me mbetje, me plehra, që ndotin zonën dhe e bëjnë të pamundur jetën aty afër, gjenden kudo.

Këto male me plehra tha Salianji rriten çdo ditë, sepse nuk përpunohen, nuk riciklohen. E megjithatë, Edi Rama ka vendosur që këto grumbuj të rrezikshëm me mbetje, t’i shumëfishojë duke sjellë edhe nga Europa, gjoja për të mbajtur gjallë industrinë ricikluese.

Sipas PD, më shumë se 80 përqind e mbetjeve shqiptare nuk riciklohen.

“Po sjellim sot vetëm një dëshmi se si malet me plehra kanë mbuluar Shqipërinë, se si plehrat që kryeministri i quan mall, që duhet ti marrë nga jashtë për shkak se nuk ka Shqipëria, për të mbajtur industrinë riciklues, ndodhen në çdo pjesë të vendit. Këtu jemi në Bizë, vetëm 500 metra larg resortit turistik që do të ndërtohej nga Fati Mitri i cili do të hapte 1200 vende të reja pune. Jemi vetëm 1 kilometër në vijë ajrore nga avioni i Guido Guidit i cili kishte ardhur për të transportuar drogë”,

thotë Salianji.

“Droga dhe plehrat janë alternativa e Ramës për të mbuluar vendin. Kjo është Shqipëria e cila nuk ka kapacitet dhe nuk investohet për të ndarë në burim dhe për të ricikluar plehrat e veta, por sipas kryeministri këto plehra janë para, të cilat sot hidhen rrugëve sot, para të cilat kthehen në kancerogjene për banorët e zonës dhe në dëmtuese të mëdha jo vetëm të imazhit të Shqipërisë por të jetës së qytetarëve shqiptarë, të cilët janë të detyruar të bashkëjetojnë me këto male me plehra që ne do ti sjellim rast pas rasti, sepse në fakt kanë mbuluar Shqipërinë. Plehrat janë mall, thotë kryeministri. Po pse atehere plehrat, pra paratë, qytetarët dhe shtetet e Bashkimit Europian do ti sjellin në Shqipëri?! Në rast se janë para pse kompanitë ricikluese nuk investojnë dhe nuk i marrin plehrat për ti përpunuar në vendin e origjinës, aty ku duhet të përpunohen. Pse kryeministri dhe industritë ricikluese nuk investohen për të marrë këto male me plehra dhe për ti kthyer në para dhe vende pune për qytetarët shqiptarë?! Rezikshmëria e mbetjeve dhe plehrave do të jenë një katastrofë e madhe për Shqipërinë dhe është një akt antikombetar”,

shprehet Ervin Salianji./tvklan.al