peres-rama

Në vizitën zytare dy ditore në Izrael, Kryeministri Edi Rama ka patur mundësi të takohet dhe me ish – Presidentin Shimon Peres, i cili aktualisht drejton qendrën për paqen “Peres”, një organizatë joqeveritare, e themeluar prej tij, që nxit afrimin e Izraelit me fqinjët, duke promovuar paqen përmes projekteve të përbashkëta ekonomike dhe sociale.

Përveç delegacionit, në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro – hebre, që jetojnë në Jeruzalem.

Mjaft i informuar për zhvillimet në Shqipëri, ish – Presidenti Peres i ka shprehur konsideratën e tij Kryeministrit Rama, që sipas tij, po rilind Shqipërinë.

Shimon Peres – Ish – President i Izraelit: “E di që Shqipëria sot është një vend tërësisht i ndryshëm, shumë i ndryshëm falë jush, në fillim si Kryebashkiaku më i dashur që Shqipëria ka pasur ndonjëherë dhe tani si Kryeministri më i dashur që ka Shqipëria. Shqipëria është një vend i vogël ashtu sikurse ne. Vogëlsia dhe madhështia në ditët e sotme nuk maten nga madhësia territoriale apo numri i popullsisë, por maten vetëm nga vlerat dhe cilësia e edukimit që një vend mbart. Me sa di unë ju keni ende probleme, por çfarë bëtë në një kohë të shkurtër është fantastike, ndaj dua t’ju përgëzoj që jeni duke rilindur Shqipërinë që të ketë bukurinë e tokës së saj, mirësinë e njerëzve të saj dhe për përpjekjet për t’u bërë një vend që nuk bazohet vetëm në bukurinë e tokës tuaj, por edhe në shkencë dhe teknologji. Me aq sa mundemi, do të jemi më shumë se të lumtur që t’ju ndihmojmë sepse vendet e vogla mund të bëhen të mëdhenj, jo nëpërmjet ushtrive, por nëpërmjet edukimit. Për mua ky nuk është vetëm një takim diplomatik, por edhe një event shumë emocionues.”

Kryeministri ka vlerësuar figurën e ish – Presidentin si mbartës së mesazheve të mirëkuptimit e bashkëjetesës në paqe mes vendeve dhe i ka dorëzuar atij “Medaljen e Mirënjohjes” së Kryeministrisë, në emër të qeverisë shqiptare.

Tv Klan