Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako, duke raportuar në Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për situatën e përmbytjeve në vend tha se deri më tani nuk ka banesa të rrezikuara. Çako, i cili për momentin ndodhej në Lezhë, tha se më problematik aty është lumi Drin për shkak të mbingarkesës.

“Banesa të rrezikuara nuk ka. Momentalisht flas nga Lezha. Në bashkëpunim me autoritete vendore dhe bashkitë në Lezhë problematik është lumi Drin pasi është mbingarkuar pak nga Gjadri dhe kolektori kryesor i Kallmetit. Pas ndërhyrjes u bë rikuperimi i disa vendeve në argjinaturat e vendi”, tha ai.

Kreu i Emergjencave Civile deklaroi se prezencë të lartë uji ka pasur edhe në qarkun e Durrësit. Sipas tij në momentet, kur është kërkuar ndihmë, është ndërhyrë menjëherë. “Vazhdon të monitorohet situata në të gjitha qarqet”, tha Çako. /tvklan.al