Përplasja e një dite më parë në Kuvendin e Shqipërisë mes ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryeministrit Edi Rama ka qenë kryefjala e mediave. E për të folur pikërisht mbi këtë debat që ka bërë zhurmë të madhe, ishin të ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan filozofi Arjan Çuri dhe gazetari Berat Buzhala.

Buzhala tha se gjuha e përdorur mes tyre ishte e patolerueshme dhe se nuk i shërben shqiptarëve. Ndërkohë që Curi i përshkroi ata si “

gladiatorë që bëjnë kot përpara nesh”.

Arian Çani: Lind natyrshëm ky debat apo është strategji?

Berat Buzhala: Do ta krahasoja debatin e tyre me komedinë “Pallati 176” ose cirk i padinjitetshëm. Unë përdor në rrjetet sociale dhe televizion atë gjuhë që përdor me fëmijët e mi. Kjo është një gjuhë e patolerueshme. Për çfarë i hyn në punë shqiptarëve ky debat? Është refleks. Që këto të ndodhin para një audience e para një flamuri është e turpshme dhe e patolerueshme.

Arian Çani: Kjo ndodh shumë e rrallë. Njerëz janë, s’kanë të drejtë të bien në këtë nivel?

Berat Buzhala: Jo s’kanë. Ka mjete të mjaftueshme që këta të mund të përdorin ndaj njëri-tjetrin. Pse duhet të lëshohen në nivelin e telenovelave turke. Duhet të ketë një vijë ndarëse.

Arian Çani: Është mëkat nëse ndodh?

Berat Buzhala: Është mëkat. Mua më kanë sharë shumë në rrjetet sociale, por unë asnjëherë nuk e kam ulur nivelin me ta.

Arian Çani: Ka patur arsye të fortë që e ulën nivelin e debatit deri në atë formë?

Berat Buzhala: Ka qenë akumulim dhe ka dalë nga kontrolli Rama. Rama është Kryeministër dhe duhet të jetë më i përmbajtshëm.

Arian Çani: Ti ke të njëjtën qasje Çuri?

Arjan Çuri: Jo, unë kam qasje totalisht të kundërt me Buzhalën. Unë besoj që këta arrijnë maksimalizimin e votave, ky popull i do kështu liderat. Rama duke qenë më i vogël është në gjurmët e Berishës. Që tani konflikti ka ardhur aty ku nuk mban më. Kjo është kultura jonë. Kam takuar njerëz këto ditë që kanë qenë të eksituar nga ky diskutim…

Arian Çani: Ishte strategji thua ti?

Arjan Çuri: Po patjetër. Unë mendoj se janë të dy njësoj. Zhvendosja e vëmendjes është gjithnjë në thelb. Ky diskur nga dikush do pëlqehet. Rama dhe Berisha nuk rrijnë vetëm për ideal në faqet e tyre, por sepse ndjekësve u pëlqen “lufta” dhe këto herë pas here nxjerrin këtë diskur.

Berat Buzhala: Unë besoj se përdorimi i dhunës fizike dhe verbale është i panevojshëm sepse nuk arrin nivel politik. Edhe në Kosovë përdoret gjuhë e ashpër, por jo në këtë nivel. Kjo është gjuhë e atyre që bëjnë hip-hop.

Arjan Çuri: Kosova është përpara nesh. Këta janë gladiatorë që bëjnë kot përpara nesh.

/tvklan.al