Ish-kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur t’i përgjigjet në anglisht ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili njihet si ambasadori që i ka dhënë të gjithë mesazhet e tij në shqip.

Lu është në “full conflict of interest”, tha Berisha në “

Mbrëmje në ABC News

” me gazetaren Mirela Milori, duke sqaruar se ambasadori amerikan është në konflikt të plotë interesi, pasi sipas tij, kryeprokurori aktual Adriatik Llalla e ka akuzuar për korrupsion dhe Lu ka dalë jashtë misionit të tij, duke ofruar edhe emra për kryeprokurorin e ri.

Milori:

Do doja të ndalesha në një aktualitet që është çështja e kryeprokurorit të përkohshëm. Pak orë më parë është mbyllur orari i pranimit të kandidaturave, ka disa kandidatura për t’u emëruar prokurori i përgjithshëm i përkohshëm. Si ju duket e gjithë kjo? Fillimisht do ju pyes opinionin tuaj dhe më pas do ju pyes edhe për ndërkombëtarët.

Berisha:

Thjeshtë është shndërrimi i Edi Ramës në kryeprokuror. Reformat përfundojnë me kurorëzimin e Edi Ramës kryeprokuror i Shqipërisë.

Milori:

Përse ambasadori Lu sot duket se mbështet pikërisht këtë kryeprokuror të përkohshëm të përgjithshëm?

Berisha:

Ambasadori Lu është në “full conflict of interest”.

Milori:

Pra plotësisht në konflikt interesi.

Berisha:

Plotësisht, sepse Ambasadori Lu… e para njëherë, në këtë rast Kushtetuta e Shqipërisë po merret peng nga Edi Rama. Kjo është pengmarrje e Kushtetutës. Unë po u them se ky është një nga zhvillimet më dramatike në historinë e Shqipërisë. Edi Rama e shtyu sa shkoi në Bruksel problemin, por druaj se do të ketë pasoja shumë të rënda ky veprim. Sepse nëse ti opozitës i merr peng Kushtetutën, ti asgjëson opozitën me Kushtetutë. A do pranojë opozita të asgjësohet në këtë mënyrë apo jo, unë këtë nuk e di.

Milori:

Por zoti Lu tha sot se është frika e politikanëve kjo e gjitha, sepse po u ikën drejtësia nga duart.

Berisha:

Zoti Lu është në konflikt interesi, se Zoti Lu ka dy probleme. Së pari do me çdo kusht që Adriatik Llalla të ikë, sepse Adriatik Llalla e ka akuzuar Zotin Lu shumë rëndë për korrupsion. Zoti Lu duhej t’i përgjigjej atij. Nuk është gazetar Prokurori i Shtetit. Prokurori i Shtetit e ka akuzuar se më ka ardhur në zyrë dhe më ka kërkuar të ndërpres hetimet për x kriminel apo dosje, gjë të cilën nuk mund ta bëjë as Presidenti i Republikës, në sistemin kushtetues të Shqipërisë nuk ekziston e drejtë e ndërprerjes së hetimit.

Milori:

Keni të dhëna që Llalla thotë të vërtetën?

Berisha:

Unë kam pritur që zoti Lu të përgjigjej. Është shumë e rëndë, nuk ka ndodhur në historinë e shtetit. Nuk ka ndodhur në 27 vite kjo, nuk ka ndodhur ndonjëherë që Prokurori i Shtetit të akuzojë një ambasador, me terma konkretë, me fjalë konkrete. Gjersa nuk e ka bërë, ka diçka aty. 

Së dyti ka kërkuar të japë emra konkretë për kryeprokurorë, gjë totalisht e papranueshme. Nëse ai do të emërojë kryeprokurorin këtu, ai pastaj del jashtë misionit të ngarkuar nga Presidenti Trump dhe qeveria amerikane.

/tvklan.al