Pas çmimit për transparencën me qytetarët në drejtimin e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj, u nderua dje me çmimin “Lincoln” për inovacion dhe përsosmëri në shërbimin publik, në një ceremoni të organizuar në 20-vjetorin e Fondacionit Abraham Lincoln.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari Veliaj u shpreh i nderuar për këtë vlerësim dhe siguroi se puna në Tiranë do të vijojë me të njëjtin përkushtim dhe energji për një qytet edhe më të mirë.

“Jam shumë i përulur që e marr sot këtë çmim. Sa të kem energji do të vazhdoj të përkushtohem për këtë qytet dhe jam i sigurt se të gjithë ju do të na jepni një dorë. Secili prej nesh është mandatuar që në fushën e tij, në komunitetin ku shërben, në kompaninë ku punon, në shkallën apo pallatin ku banon, ka mundësinë që të bëjë mirë. Edhe në ditë si kjo e sotmja, ku po kthejmë mbrapsht filmin e 20 viteve të një historie që na ka lidhur të gjithëve, mendoj se ka kaq shumë gjëra që na bashkojnë, që janë shumë më shumë se sa ato që na ndajnë

”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi rolin e institucioneve arsimore si Qendra Lincoln në edukimin e të rinjve dhe u shpreh se falë kontributit që kanë dhënë institucione të tilla 20 vite më parë, sot në Shqipëri ka një gjeneratë të re drejtuese. Ai bëri thirrje që puna të vijojë me të njëjtin entuziazëm dhe optimizëm edhe në të ardhmen, në mënyrë që Tirana të jetë një qytet edhe më i mirë.

“Bekimi që kemi marrë nga energjia e Lincoln në këto 20 vite dhe gjithçka që është gatuar në ato klasa, në fakt ka mbjellë diçka që po e korrim sot, në një gjeneratë të re drejtuese në Shqipëri. Ndonjëherë është e rëndësishme që të ngelemi të gjithë nga pak fëmijë, me të njëjtin entuziazëm e optimizëm. Ndoshta tingëllon pak si naivitet, por optimizmi është ngjitës dhe nëse të gjithë e ruajmë atë fëmijën brenda nesh, që do gjithmonë më të mirën për ata që e rrethojnë, unë besoj se mund të kemi një qytet më të mirë”,

deklaroi Veliaj.

Robb Provost, themeluesi dhe kryetar i Bordit të Drejtorëve të Qendrës Lincoln vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për pasionin që ka treguar për të sjellë ndryshimin në Tiranë. “

Është dikush në këtë sallë që çdo ditë zgjohet duke menduar për qytetin e tij. Nëse ju e ndiqni në mediat sociale, e dini se çdo ditë, më shumë se 15 orë, ai është duke punuar për njerëzit e këtij qyteti. Ai është një mobilizues njerëzish, jashtëzakonisht i talentuar; ka mësuar si të ndërtojë ekipe, si të udhëheqë, duke fuqizuar të tjerët, si të sjellë transparencë në qeverisje, transparencë të cilën nuk e kishim parë deri në ditët e sotme. Pasioni i tij është të shohë Tiranën të shkëlqejë jo vetëm në Shqipëri, por në skenën botërore”

, përfundoi Robb Provost, President i Fondacionit Abraham Lincoln.

/tvklan.al