Ditët e javës plot me reshje shiu që po lëmë pas, duket se do ja lënë vendin kthjellimeve gjatë fundjavës. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” ka thënë se pritet që temperaturat të rriten gjatë ditëve të fundit të javës, duke regjistruar deri vlerën 27 gradë Celsius të dielën. Duket se me vlera të njëjta atmosferike do të jenë edhe ditët e fundit të Prillit të cilat do të sjellin rritje të mëtejshme të temperaturave.

Lajda Porja: Kjo fundjavë ka nisur me reshje dhe e gjithë java ka qenë e paqëndrueshme. Pritet që nga ora në orë të kemi dobësim të reshjeve dhe në pjesën e dytë të ditës, moti të përmirësohet përsa i përket reshjeve duke i zhvendosur reshjet vetëm në zonat malore. Do të rikthehen intervalet me kthjellime pothuajse në të gjithë territorin, nga mesdita dhe në vijim.

Parashikohet që vranësirat të mbeten prezente edhe përgjatë ditës së shtunë. Nesër më të shumta, vranësirat do të jenë në zonat përgjatë shtrirjes lindore, ku në verilindje dhe juglindje do të ketë edhe momente me pika shiu. Edhe pse reshjet do të jenë prezente, të shtunën dhe të dielën do të jenë në sasi shumë më të pakëta nga se kemi përjetuar deri më tani. Dita e dielë do të përmirësojë dukshëm motin. Do të jetë një ditë me shumë diell, intervale të gjata me kthjellime në të gjithë territorin shqiptar, e cila do të pasohet edhe me fillimin e javës tjetër.

E shtuna dhe e diela do të sjellë rritje të ndjeshme të temperaturave duke bërë që të shtunën të jemi në vlerën 24-25 deri në 27 gradë do të jenë temperaturat përgjatë ditës së dielë duke na lënë një shije mjaft të mirë ditët e fundit të Prillit. Vijojnë dhe të hënën dhe të martën temperaturat e larta duke e mbyllur këtë muaj me temperatura shumë më të larta se duhet të regjistrojë në fakt.

/tvklana.al