Gentian Bejtja 43 vjeç u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në banesën e tij më 15 Mars 2023 në Larushkë të Fushë-Krujës.

Ai u qëllua nga 3 armë të ndryshme kallashnikovi, siç është evidentuar nga grupi hetimor.

Babai i Gentian Bejtjas, Gani Bejtja, në një intervistë ekskluzive për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka treguar dinamikën e asaj ngjarje. Sipas tij, 43-vjeçari ka qenë në serën e banesës duke ujitur domatet, kur nga pas tij shkuan 3 vrasësit me kallashnikovë. Një i katërt i priste brenda makinës në rrugën hyrëse të shtëpisë së familjes Bejtja.

Njëri prej 3 personave të armatosur, siç tregon Gani Bejtja, kërcënoi me kallashnikov bashkëshorten dhe fëmijët e Gentian Bejtjas. Më pas shkuan te sera ku ndodhej 43-vjeçari dhe e ekzekutuan me breshëri duke e lënë të vdekur në vend.

Sparta Koka: Atë ditë çfarë ndodhi, më datë 15?

Gani Bejtja: Ka bërë një serë këtu te shtëpia se këtu s’ka ndenjur kush. Ka mbjellë ca domate, ca gjëra, ka shkuar për tí vaditur. Ka qenë nusja atë ditë, ka ardhur bashkë me kalamajtë edhe u fut këtu. Kur kanë shkuar kalamajtë, kanë lënë një portë të vogël hapur. Ata kanë hyrë, kanë shkuar te sera direkt.

Spartak Koka: Me çfarë makine kanë ardhur këtu?

Gani Bejtja: Fuoristradë e zezë.

Spartak Koka: Po në media është thënë foristrada e bardhë.

Gani Bejtja: Po mediat të shkojnë ta gjejnë.

Spartak Koka: E keni parë vetë fuoristradën?

Gani Bejtja: Po si nuk e kam parë, i zi.

Spartak Koka: Kanë dalë në këmbë?

Gani Bejtja: Kanë dalë në këmbë te porta, po njëri ka prit, tre kanë hyrë atje, njëri ka prit. Njëri i ka drejtuar automatikun gruas e kalamajve. Ata të dy tjerët janë futur brenda, e kanë vrarë brenda në serë duke vaditur domatet. Breshëri automatiku.

/tvklan.al