Media e mirënjohur evropiane Politico i ka kushtuar një shkrim situatës së marrëdhënieve shqiptaro-greke të kushtëzuara prej gati një viti nga mbajtja në paraburgim e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës Fredi Beleri.

Politico thekson se qeveria greke shkoi më tej ditët e fundit duke zgjedhur të luajë ndaj Edi Ramës kartën e egër të zgjedhjeve evropiane duke e kandiduar Belerin për eurodeputet në një kohë që mbahet në një burg shqiptar.

Për partinë konservatore ‘Demokracia e Re’ e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, zgjedhja e Belerit shihet si kalkulim politik për të luajtur me ndjenjat patriotike të elektoratit grek duke synuar që të tërheqë vota nga partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë. Duke qenë se 20 vendet që Greqia zë në karriket e eurodeputetëve shkojnë për kandidatët që fitojnë më shumë mbështetje popullore, Beleri sipas Politico-s i ka të gjitha shanset që të fitojë një vend në Parlamentin Evropian.  

Në shkrim zbulohet fakti se Ministria e Jashtme e Greqisë ishte e kujdesshme për të luajtur politikë me Belerin duke shprehur “rezerva të forta” për kandidaturën e tij. “Vendimi për kandidaturën e Belerit shihet jo vetëm kundër marrëdhënieve me Shqipërinë, por edhe me shumicën e partnerëve evropianë të Greqisë nga ana tjetër sipas profesorit grek të Universitetit Sciences Po, në Paris Loukas Tsoukalis, Athina i ka bërë presion Tiranës për lejimin betimin e tij si kryebashkiak në Himarë, por deri tani pa rezultat.

Greqia argumenton se rasti i Belerit duhet të shihet si një problem evropian dhe jo një çështje dypalëshe, pasi ai përfaqëson një shqetësim për sundimin e ligjit në një vend që aspiron të bashkohet me BE. Athina këmbëngul se Shqipëria nuk mund të hyjë në BE pa e respektuar pakicën etnike greke.

Çështja e bllokimit të hapjes së negociatave për kapitujt e parë të anëtarësimit ka acaruar marrëdhëniet e Greqisë me disa nga aleatët e saj në BE, veçanërisht me Berlinin, sepse kancelari gjerman Olaf Scholz foli publikisht në favor të kandidaturës së Shqipërisë në BE, pavarësisht kundërshtimeve të Athinës.

Aggelos Syrigos, asistent profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Panteion dhe deputet i Demokracisë së Re shkruan se për momentin, amerikanët dhe evropianët nuk janë të bindur se çështja Beleri është një çështje e demokracisë, e sundimit të ligjit dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Edhe Nikos Androulakis, kreu i partisë Socialiste PASOK i tha portalit Politico se strategjia e Demokracisë së Re për ta kandiduar Belerin për eurodeputet vështirë se e ndihmon minoritetin grek në Himarë që ka nevojë ta shohë atë si kryetar i Bashkisë.

Marilena Koppa, profesoreshë e politikës krahasuese në Universitetin Panteion, tha se veprimi i Mitsotakis për ta kandiduar Belerin për eurodeputet ishte “populist, oportunist dhe dritëshkurtër”.

Klan News