Presidenti Bujar Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani morën pjesë në kremtimet e festës tradicionale të Sulltan Novruzit në Teqenë e Baba Aliut, në Ali Postivan të Përmetit, duke uruar përzemërisht këtë ditë të shenjtë të besimtarëve bektashinj. Kreu i shtetit u shpreh se bektashizmi është një frymëzim i thellë njerëzor, patriotik, por edhe kombëtar.

“Besimi bektashian, në gjirin e të gjithë besimeve të tjera, arriti të vendosë rrënjë të thella në shpirtin tonë e të kthehej në një burim jo vetëm tolerance e harmonie, por edhe në një faktor të qenësishëm kulture, patriotizmi, edukate dhe filozofie optimiste. Ky besim jo vetëm u mirëprit, por u hap gjerësisht dhe sot është një frymëzim i thellë njerëzor, patriotik, por edhe kombëtar”.

Me këtë rast Presidenti Nishani dekoroi me Titullin “Naim Frashëri” klerikun dhe udhëheqësin e shquar shpirtëror të bektashinjve, Baba Hekuran Nikollari me motivacionin: “Për kontributin e rëndësishëm në ringritjen, ruajtjen dhe përhapjen e besimit bektashian”.

Ndërsa Kryeministri Rama zgjodhi që urimet në këtë festë t’i japë nga Familja e Baba Reshat Bardhit, i cili rihapi në vitit ’91 Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Kryeministri iu rrëfeu pasardhëseve të tij se Baba Reshat Bardhi ishte bërë shkas që të lexonte literaturë për t’u njohur me bektashizmin, për të cilin thotë se është feja e vllazërimit.

Ndërsa Kryeparlamentari Meta, urimin e tij e bëri nga selia e kryegjyshatës.

“Bektashizmi është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për kontributin dhe veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga rilindja kombëtare nën emrin e vëllezërve të mëdhenj Frashëri e deri më sot”.

Besimtarëve bektashinj nuk iu mungoi edhe urimi i Kryedemokratit Basha, i cili mesazhin e tij nga Shtetet e Bashkuara ku po zhvillon një vizitë e dha përmes rrjeteve sociale.

Tv Klan