Një ditë përpara nisjes së aksionit anti-informalitet, ministri i Financave dhe Ekonomisë ka organizuar një takim me zyrtarë të administratës së Tatimeve, Doganave dhe Inspektoriatit të Punës, për t’u dhënë atyre fokusin e punës në terren. Arben Ahmetaj tha se nuk do të tolerohet asnjë sjellje e padenjë apo e jashtëligjshme ndaj bizneseve dhe qytetarëve, nga asnjë nëpunës publik.

“Ju garantoj që nuk do të tolerohet asnjë sjellje e padenjë, e jashtëligjshme, arrogante e administratës tatimore, doganore apo e inspektoriatit kundrejt tatimpaguesve, kundrejt sipërmarrjes, kundrejt qytetarëve”.

Aksioni do të veprojë te të gjitha degët e ekonomisë, si te sipërmarrja e madhe, ashtu edhe te kontrolli në terren i biznesit të vogël. Për shoqëritë e mëdha, kontrollet do të behen në bazë të sistemit të riskut.

“Kemi biznese të mëdha të cilat do të kontrollohen duke u bazuar tërësisht te rezultati i platformës së riskut dhe sigurisht në terren do të ketë një kontroll të vazhdueshëm të zbatueshmërisë së ligjit, pra që nga përdorimi i kasave, që nga lëshimi i kuponave”.

Këtë herë aksioni anti-infromalitet nuk ka për qëllim rritjen e të ardhurave jashtë parashikimit të bërë në buxhet, apo arkëtimin e gjobave por komunikimin, zgjerimin e bazës së tatimpaguesve dhe vetëkorrigjimin e sipërmarrësve, duke patur si themel pagesën e taksave.

Tv Klan