Në kanale dhe lumenj, situatë mjedisore e rëndë. Asnjë ndërhyrje

Rrjedhja e karburantit nga porti i karburanteve në Porto Romano vazhdon edhe sot. Po ashtu banorët e zonës vijojnë mbledhjen e naftës mbi sipërfaqen e ujit, duke krijuar kështu një mundësi për përfitim të disa të ardhurave.

Por çfarë ka ndodhur realisht në portin e Hidrokarbureve në Porto Romano? Klan Plus u interesua me radhë në të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për krimet që shkaktohen ndaj mjedisit.

Inspektoratet janë në fazë riorganizimi dhe ende nuk ka një autoritet që të veprojë.

“Jemi në dijeni të asaj se çfarë ka ndodhur në Porto Romano, por ne jemi në një periudhë tranzicioni, pasi po bëjmë kalimin nga Ministria e Mjedisit në atë të Brendshme dhe për këtë arsye nuk e kemi tagrin të kryejmë më shumë veprime. Megjithatë, me aq sa jemi të informuar, çështja po hetohet nga Sektori për Krimin Ekonomik në Drejtorinë Rajonale të policisë Durrësit”.

Edhe në Prokurori asgjë nuk është e qartë. Ky institucion shprehet për Klan Plus se çështja është shumë e ndërlikuar dhe nuk kemi dalë akoma në një përfundim për të nisur një hetim të mirëfilltë për çështjen në fjalë.

E njëjta gjendje edhe në lumin Gjanica në Fier. Sipërfaqja e tij është e mbuluar nga nafta, e cila rrjedh nga vendburimet e dhe rafineritë e Ballshit. Edhe pse shtrati i lumit është sistemuar, në kuadër të projekteve për rilindjen urbane, duke u shndërruar në një mjedis gati dekorativ, brenda tij rrjedh më shumë mbetje naftë sesa ujë.

Klan Plus