13 vite pas premierës absolute të “Liqenit të Mjellmave” nën koreografinë e mjeshtrit të ndjerë Agron Aliaj, kryevepra e baletit klasik u rikthye në mbrëmjen e së premtes. Vepra e Tchaikovsky erdhi nën idenë e Enda Hoxhës. Nga 2004 në ri-konceptimin e 2017, “Liqeni i Mjellmave” u vendos në Amerikën e viteve 1940-50. Në mbrëmjen e së premtes kostumin e Odette, e veshi me shumë profesionalizëm Ledia Sulaj, ndërsa të Siegfried, Ervis Nallbani.

Në datëlindjen e princit, e ëma nën interpretimin e Alisa Gjonit, i kërkon të zgjedhë vajzën me të cilën do të fejohet. Dashuria e tij quhet Odette, viktimë jo e zogut të keq, siç është në veprën origjinale por e gangsterit tipik amerikan, Rothbart, rol i sjellë nga Dion Gjika. Në “Liqeni i Mjellmave” të Enada Hoxhës, në festën e datëlindjes ku Siegfried ai i prezanton të ëmës vajzën e përzgjedhur, mjellmën e zezë Odille, kërcehet tarantella e mazurka, një zëvendësim i elementëve klasik me ato të show-ut.

Në aktin e katërt dhe të fundit, pasi princi kupton mashtrimin e gangsterit Rothbart, ai niset drejt mjellmës Odette për ti kërkuar falje dhe për ti shprehur dashurinë e tij. Aty ku tingujt e muzikës mishërojnë trishtimin e mjellmës zemërthyer dhe paralajmërojnë vdekjen e Odettës dhe Siegfried-it, dashuria që i vesh Enada Hoxha dy personazheve të Tchaikovsky është aq e fortë sa triumfon mbi vdekjen. Fundi tragjik konvertohet në një mbyllje të zakonshme amerikane, të gjallë dhe të lumtur në krahët e njëri-tjetrit.

Tv Klan