Pas debateve të shumta lidhur me miratimin e ligjit të shumë përfolur të mbetjeve, Presidenti i vendit, Bujar  Nishani ka vendosur të mos e dekretojë këtë ligj, duke e kthyer atë sërish për shqyrtim në Kuvend.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Presidecës, ku janë renditur edhe 3 arsyet krysore të këtij vendim. Së pari, Presidenti thotë se ai bie në kundërshtim me Direktivën e Parlamentit dhe Këshillit Europian, sipas të cilës duhet të zbatohet parimi i ‘vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë’ dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.

“Direktiva 2008/98/EC përmban një parim të rëndësishëm që është “vetëmjaftueshmëria dhe afërsia”,që do të thotë se çdo shtet duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Pra, nuk ekziston asnjë detyrim që Shqipëria të importojë mbetje jo të rrezikshme nga shtete të tjera. Përkundrazi, Shqipëria ka ratifikuar me ligjin nr.8216, dt.13.05.1997 Konventën e Bazelit “Mbi kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”

Në argumentin e dytë të dhënë nga kreu i shtetit thuhet se, ligji i miratuar në parlament për importin e mbetjeve,  bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës.

“Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm’.”

Shqipëria, sipas Presidentit, nuk disponon infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore për monitorimin e kontrollin e importit të mbetjeve dhe ekziston rreziku i futjes ilegalisht të mbetjeve me rrezikshmëri të lartë.

Në argumentin e tretë, kreu i shtetit thekson se procedurat e ndjekura në miratimin e ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve shqiptarë, në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe Konventën e Aarhus 

“Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”.

“Në një rast të tillë është e qartë se procedura e konsultimit nuk ka qenë e hershme dhe nuk është zhvilluar në mënyrë të përshtatshme, efektive dhe në kohë. Në rastin konkret janë shkelur Konventa e Aarhusit dhe ligjet e brendshme si: Ligji “Për mbrojtjen e mjedisit”, “Për njoftimin dhe konsultimin publik’, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, etj përmes të cilave garantohet aksesi në informacionin mjedisor, akses në vendimmarrjen mjedisore dhe aksesi në drejtësi për çështje mjedisore.”

Ligji i miratuar vetëm me votat e 63 deputetëve e mazhorancës PS – LSI, përjashtuar PDIU, sipas Nishanit vë në dyshim rregullsinë dhe kushtetutshmërinë e tij, për të cilin duhet të kishte një bashkëvendimmarrje nga publiku.

Presidenti thotë se  përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e efiçencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas, gjë që ka dështuar deri tani.

Kreu i shtetit sqaron se këtë vendim e ka marrë pas konsultimeve të zhvilluar me shoqërinë civile, përfaqësues të shoqatës së ricikluesve, informacionit të marrë nga Kuvendi dhe duke marrë në konsideratë iniciativën e 65 mijë zgjedhësve, të cilët në Nëntor të vitit 2011 paraqitën kërkesën për zhvillimin e një referendumi kundër importit të mbetjeve.

Tv Klan