Presidenti polak Andrej Duda vendosi të mos e firmosë dekretimin e ligjit për reformën në drejtësi, që ka shkaktuar protesta masive në mbarë vendin.

Andrzej Duda (presidenti i Polonisë)

Si president nuk e ndjej se ky ligj do të forconte drejtësinë. Kam vendosur ta dërgoj mbrapsht në parlament. Mendoj se nuk janë kryer konsultimet e duhura gjatë miratimit të tij nga deputetët.

Qindra mijëra njerëz protestuan në qytetet kryesore të Polonisë për rrëzimin e këtij ligji. Opozita paralajmëroi se vendi po bënte hapa pas dhe po kthehej në kohën e diktaturës komuniste.

Reforma që u kundërshtua fort nga populli polak, përplasi Varshavën edhe me Bashkimin Europian. Brukseli kërcënoi se do të përjashtonte Poloninë nga votimet në Komisionin Europian. Presidenti i Këshillit të Europës, ish-kryeministri polak, Donald Tusk, tha se ligji për drejtësinë do ta margjinalizonte Poloninë nga blloku europian.

Ligji për reformën ne drejtësi i jep fuqi qeverisë polake të emërojë e shkarkojë gjyqtarë, madje edhe të Gjykatës Supreme. Sipas BE, ky ligj minon pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Tv Klan