Ka nisur në Bruksel Samiti i Udhëheqësve të NATO-s, ku për herë të parë merr pjesë Presidenti amerikan Donald Trump.

Kryefjala e Samitit do të jetë terrorizmi. Takimi i sotëm në Bruksel pritet të ndezë diskutimet e udhëheqësve botërorë të vendeve anëtare të Aleancës,  pas kërkesës së SHBA – ve që NATO t’i bashkohet koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri, në luftën kundër ISIS.

Sekretari i përgjithshëm i NATO – s, Jens Stoltenberg, tha se vendet anëtare të Aleancës do të pajtohen për pjesëmarrjen e NATO – s në koalicionin ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik por marrëveshja nuk do të përfshijë angazhimin në operacione ushtarake.

Vendet anëtare të NATO – s pritet ti kërkojnë sqarime të detajuara Presidentit Amerikan mbi pikëpamjet e tij për të ardhmen e Aleancës, koalicion për të cilin Trump ka ndërruar disa herë mendim.

Me Presidentin Donald Trump pritet të takohet edhe Kryeminsitri shqiptar, Edi Rama, i cili merr pjesë në Samit. Për herë të parë në këtë Samit do marrë pjesë edhe Mali i Zi ,i cili në fillim të muajit Qershor do të jetë zyrtarisht aleati i 29 – të i NATO – s. /TV KLAN