Prezantohet projekti i sheshit fundor të Bulevardit të Ri, që do të shërbejë si pedonale dhe hapësirë argëtuese për të gjitha moshat.

Gjatë prezantimit të projketit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se projekti do të realizohet me një grant prej 11 milionë Eurosh nga qeveria e Katarit.

“Për gjeneratën e fëmijëve tanë, Tirana e Re do të jetë “Bulevardi i Ri”, do të jetë ky masterplan që tashmë ka filluar të realizohet, me të gjitha zhvillimet që po ndodhin aty, me leje që janë dhënë, siç është projekti për sheshin fundor. Lypja prej 11 milionë Eurosh nga Katari, na bën të mundur të themi që s’po paguajmë nga taksat, por as nuk duam të rëndohemi te taksat. Kjo do të thotë se na duhet edhe pasqyra financiare, tani transparente edhe për publikun. Të ardhmen e 100 viteve të tjera mund ta shkruajmë sot, ndaj dua që këtë shesh ta kthejmë në një destinacion”.

Veliaj tha se disa nga institucionet që do të zhvendosen në zonën e Bulevardit të Ri janë Gjykata e Lartë, administrata e Bashkisë së Tiranës, Muzeu i Arteve Moderne, Qendra e Panaireve, si dhe një Pallat Koncertesh për të dhënë më shumë hapësira për aktivitete.

“Tani kjo është edhe një thirrje publike për institucione të tjera, deri tani na është përgjigjur Gjykata e Lartë për të pasur selinë e saj qëndrore në fillim të bulevardit, Bashkia e Tiranës përballë saj për të pasur kullën e saj të shërbimeve dhe për t’u larguar nga gjithë këto qiratë që kemi edhe për efekt të tërmetit”.

Bulevardi i Ri nis nga Unaza e Madhe e Tiranës, përfundon drejt lumit të Tiranës dhe paraqet jo vetëm aksin kryesor, por edhe 4 hapësira të ndërmjetme që janë sheshet publike.

Tv Klan