“Shpëtimtari i botës” vepra e Leonardo da Vinçit që tashmë konsiderohet si piktura më e shtrenjtë në botë, do të ekspozohet në muzeun e sapoinaguruar të Luvrit në Abu Dabi. Konfirmimin e bënë vetë drejtuesit e muzeut përmes një postimi në rrjetin social Twitter, por pa përcaktuar një datë të saktë të ekspozimit.

E përditshmja amerikane “The New York Times” zbuloi më herët edhe personin që pagoi shumën e konsiderueshme për pikturën, që daton në shekullin e 16. Blerësi është princi saudit Bader bin Abdullah al-Saud, i cili ka lidhje gjaku të largët me familjen mbretërore të Arabisë Saudite.

Sipas të përditshmes amerikane, kjo mendohet të ketë qenë edhe një nga arsyet, pse emri i blerësit të veprës së famshme nuk u bë publik në ankandin e zhvilluar muajin e kaluar nga shtëpia e ankandeve Kristis ne në Nju Jork.

Posedimi i një portreti, për më tepër të një profeti që njihet edhe nga bota islame, konsiderohet e jashtëligjshme sipas Sheriatit, ligjit fetar islam që përbën bazën e kushtetutës së mbretërisë Saudite.

Vitet e fundit, piktura ka qenë në pronësi të miliarderit rus Dimitri Rjibolovlev. Janë hedhur dyshime se ai e shiti pikturën pasi ndodhej në vështirësi financiare. Rubovlev jeton aktualisht në Shtetet e Bashkuara, për t’ju shmangur hetimeve për pastrim parash në Monako, ku jetonte prej 2010-ës.

/Tv Klan