Programi i ri i sportit në shkolla është diskutuar në një takim ku ishin përfaqësues ministrish, kryetarë bashkish dhe të komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Synimi është përfshirja e mijëra nxënësve e studentëve të organizuar në qindra klasa sportive të drejtuar nga trajnerë profesionistë që fillimisht do të zhvillojnë disiplinat e basketbollit dhe volejbollit. Sipas kryeministrit Edi Rama do të çojë sportin shkollor drejt një organizimi më mirë.

“Programi i sportit do të na ndihmojë të spostojmë aktivitetin në një hapësirë të organizuar. Të krijojmë edhe kompeticionet sportive në nivel qarku dhe kombëtar. Të ndërtojmë rrjetin e skuadrave që të vendosim në dispozicion trajnerët”.

Rama i kërkoi bashkive të vendit që të ndihmojnë në rritjen e numrit të terreneve sportive në ndihmë të komunitetit.

“Pas më shumë se 1 muaji pjesa më e madhe e bashkive nuk japin përgjigje për terrenet sportive në dispozicion. Duhet të rrisim sipërfaqen e terreneve nëpër lagje e deri ato rurale”.

Ky projekt do të ndihmojë edhe në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve nëpërmjet sportit.

Tv Klan