Autoritetet në Vlorë kanë nisur procedim penal ndaj firmës së ndërtimit, e cila ka realizuar projektin e ndërtimit të shëtitores të vijës bregdetare Lungomare.

Në një njoftim për mediat, policia e Vlorës thotë se ky procedim erdhi

“pasi prej kësaj firme janë krijuar disa degëzime dhe hyrje-dalje në disa objekte, duke devijuar projektin, që bie ndesh me kriteret e përcaktuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”.

Gjithashtu, një tjetër rast është konstatuar në fshatin Hoshtimë – Treblovë, për shpërdorim detyre, ndërtim i paligjshëm dhe shkatërim prone prej katër personave të tjerë.

Ata janë dy vëllezërit P.Sh., 49 vjeç dhe Z.SH., 46 vjeç, banues në Sevaster, si dhe V.B., 45 vjeç, banues në Peshkëpi dhe F.B., 35 vjeç, banues në Llakatund.

Ndaj tyre, thotë policia në njoftim, ka filluar procedimi penal pasi nga të dhënat e marra dhe nga hetimet e kryera rezulton se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë hapur një karrierë që shfrytëzohet për nxjerrje të rërës bituminoze, për të cilën nuk kanë leje shfrytëzimi, duke nxjerrë sasira të konsiderueshme të kësaj lënde minerale, që sipas legjislacionit mund të shfrytëzohet vetëm pasi të jenë pajisur me leje përkatëse./tvklan.al