vrasja-zogu

Nën masa të rrepta sigurie, 3 autorët e masakrës së 27 Majit, në Bulevardin “Zogu i Parë” mbërritën gjatë paradites në Gjykatën e Krimeve të Rënda. I pari që hyri në sallën e gjyqit ishte italiani Salvatore Letizia, që u njoh përmes përkthyeses me akuzën e ngritur nga Prokuroria.

Italiani që u kap nga policia në një hotel pranë ish – Stacionit të Trenit u shfaq i qetë, duke pranuar se ishte në vendin e ngjarjes në momentin që u qëllua në drejtim të Mentor Lufit dhe mikut të tij, Gerti Goxhaj.

Para gjykatës dolën edhe Markeljan e Klevis Doçi, dy nipat e Mentor Lufit që ndodheshin në atomjetin Tuareg, në ruajtje të xhaxhait të tyre, por që më pas u përfshinë në vrasjen e Besnik Sulkut dhe plagosjen e italianit Salvatore Leticia.

Sipas Prokurorisë, pasditen e 27 Majit, Mentor Lufi ishte në kafe bashkë me Gerti Goxhajn, dy nipat e tij dhe persona të tjerë. Pasi u çuan nga lokali ku ishin ulur, ata iu drejtuan dy makinave BMV dhe Tuareg, të parkuara afër Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Në mjetin tip BMV hipën Mentor Lufi e Gerti Goxhaj, ndërsa në ruajtje të tyre u vunë menjëherë dy nipat Markeljan e Klejvi Doçi. Në këtë moment makina ku ndodhej xhaxhai i tyre u qëllua nga rreth 1 metër largësi, nga dy persona të maskuar, që më vonë u identifikuan si Besnik Sulku e Salvatore Leticia.

Pasi u njoh me akuzën, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për të lënë në “arrest me burg”, italianin që dyshohet të ketë qenë pjesë e grupit mafioz Kamorra dhe dy nipat e Mentor Lufit.

Prokuroria ka dyshime të bazuara se, Markelian Doçi dhe Klejvi Doçi kanë kryer në Hollandë vrasjen e Durim Sulku, vëllait të Besnik Sulkut. Ekzekutimi i tij dyshohet së është bërë në shenjë hakmarrjeje për atentatin e kryer ndaj xhaxhait të tyre, Mentor Lufi në Tiranë, me 19 Dhjetor të vitit të kaluar.

Durim Sulku u vra në 6 Prill të këtij viti, me një plumb pas koke, në një parkim në Riderk.

Pas ngjarjes së 3 ditëve më parë, Krimet e Rënda kanë filluar verifikimin për levizjet e dy vëllezërve Doçi, pikërisht në 6 Prill. Në bazë të sistemit TIMS, në këtë ditë, ata rezultojnë të kenë qënë jashtë territorit shqiptarë.

Policia hollandeze nuk mundi t’i identifikojë autorët duke sqaruar se vrasja ishte larje hesapesh mes bandave rivale të trafikut të drogës.

Tv Klan