Prokuroria e Fierit ka rihapur hetimet për kompaninë e naftës Bankers Petroluim për ngjarjet e prillit 2015, ku si pasojë e hapjes së puseve të reja u shkatërruan shtëpitë e banorëve të fshatit Zharrzës dhe jo vetëm.

Këto hetime u mbyllen nga prokuroria e Fierit, por kryeprokurori Adriatik Llalla në 21 shkurt në analizën vjetore të prokurorisë së këtij rrethi paralajmëroi rihapjen e tyre.

Sipas përllogaritjeve të para demi i shkaktuar ndaj banorëve të zonës është rreth 2 miliardë lekë, pa llogaritur demet në mjedis dhe ndotjen e ujit të pijshëm. Për këtë hetim janë angazhuar 3 prokurorë dhe dy oficerë të policisë gjyqësorë.

Hetimet për kompaninë kanadeze Bankers Petroluim ishin pjesë e akuzave të ndërsjellta mes ambasadorit amerikan Danald Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Numri një i akuzës deklaroi publikisht se ambasadori amerikan e kishte shantazhuar për të mbyllur hetimet për këtë rast. Grupi hetimor i ngutur për këtë ngjarje pritet të kryejë një hetim të gjerë ku do të pyetën drejtuesin e kompanisë, specialistët e gjeoshkencës apo edhe zyrtarë të tjerë të cilët kanë informacione të vlefshme për hetimin.

Hetimet janë regjistruar për veprën penale të shkatërrimit të pronës me dashje dhe parashikohet dënimi me gjobë deri tre vite burgim, nëse faktohet akuza. / TV KLAN