Gjykata e Krimeve të Rënda ka bllokuar pasaportën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, në vijim të hetimeve për dosjen “Habilaj”, duke i ndaluar atij daljen jashtë vendit për një periudhë të pacaktuar.

Gjykata mori vendimin mëngjesin e kësaj të marte pas kërkesës së organit të akuzës, qe po e heton deputetin Tahiri për dy akuza; trafik i narkotikëve të kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërore.

Në një reagim pas këtij vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda, avokati i Saimir Tahiri, Maksim Haxhia theksoi se prokuroria nuk ka asnjë fakt të ri që gjykata të vendosë bllokimin e pasaportës së Tahirit.

Ndërkaq në lidhje me hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ABC News ka mësuar nga burime nga grupi hetimor të dhëna të tjera lidhur me njohjen e Saimir Tahirit me biznesmenin 25-vjeçar Orest Sota. Sipas këtyre burimeve, Tahiri kishte udhëtuar dy herë jashtë vendit gjatë vitit 2017 me automjetin e Orest Sotës. Të dyja daljet ishin kryer nga Pika e Kalimit Kufitar të Muriqanit drejt Malit të Zi. Zyrtarisht, udhëtimet kanë qenë në muajin Shkurt dhe Korrik të këtij viti. Të njëjtat burime saktësojnë se disa udhëtime janë kryer nga vetë deputetit Tahiri me makinën e 25-vjeçarit Sota edhe në vitin 2016.

Prokuroria thekson se Tahiri ishte kthyer në Shqipëri nga këto udhëtime 2 apo 4 ditë më pas. Këto prova të reja, sipas organit të akuzës, provojnë njohjen e biznesmenit me ish-ministrin e Brendshëm, duke rënduar pozitën e këtij të fundit./

abcnews.al