Pamjet më poshtë, të kapura nga kamerat e sigurisë, tregojnë momentin kur një gazetar investigativ kolumbian ekzekutohet me armë zjarri, pasi hyn në një dyqan, në përpjekje për t’i shpëtuar vrasësit. Haime Vaskez, që ushtronte edhe profesionin e avokatit u ekzekutua në fundjavë në sy të dhjetëra klientëve në një biznes në qytetin Kukuta, pranë kufirit me Venezuelën.

54-vjeçari shquhet si një prej aktivistëve më në zë kundër korrupsionit në vend. Në shkrimet e tij, ai ka bërë publike një sërë aferash korruptive dhe abuzimi me pushtetin mes zyrtarëve të lartë kolumbianë dhe ka zbuluar lidhjet e tyre me trafikantë të ndryshëm droge. Këtë të Martë, presidenti Gustavo Petro urdhëroi nisjen e hetimeve urgjente për zbulimin e autorit dhe porositësve të vrasjes së tij.

Rasti ka shkaktuar reagimin e ashpër të opinionit publik, që e ka vënë në presion qeverinë për të ashpërsuar luftën kundër korrupsionit dhe grupeve të drogës, pasi Kolumbia vijon të jetë një nga qendrat e eksportit të Kokainës në botë. Sipas Fondacionit për Lirinë e Shtypit FLIP, nga 2006 në Kolumbi janë vrarë 167 gazetarë, ndërsa vetëm vitin e kaluar u kërcënuan me jetë 163 të tjerë.

Tv Klan