Edhe pse një ditë më parë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi që të shfuqizojë vendimin e Ministrisë së Energjisë për të ndërtuar mbi lumin Vjosë hidrocentralin e Poçemit, Ministria e Energjisë do të ankimojë çështjen në Shkallën e Dytë, për të kërkuar ndërtimin e tij.

Zyrtarisht ky institucion, në rolin e autoritetit konktraktor, thotë për Televizionin Klan se nuk është i kënaqur me vendimin dhe se në thelb, gjykata nuk ka shfuqizuar asnjë procedurë të saj, por vetëm atë dhënies së lejes mjedisore, që është kompetencë e Ministrisë së Mjedisit.

Kërcënimi nga një Arbitrazh me firmën turke detyron Ministrinë që të kërkojë ndërtimin e HEC-it në të gjitha hallkat e gjyqësorit. Burime për Televizionin Klan thanë se ende nuk kanë marrë një njoftim nëse shoqëria do t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, por kjo nuk do të thotë që ata të mos kërkojnë më pas fitimin e munguar nga vepra dhe shpenzimet që kanë bërë deri me sot për projektin.

Gjykata Administrative vendosi të martën pro kërkesës së 38 banorëve të fshatit Kutë në Mallakastër, që hidrocentali i Poçemit të mos ndërtohet pasi leja mjedisore është e pavlefshme dhe prish ekosistemin në lumin Vjosë. Hidrocentrali kap një vlerë investimi 100 milionë euro me fuqi 100 megavat dhe do të shfrytëzohet për 35 vjet.

Tv Klan