Një vit pasi miratoi ligjin për supergjobat, qeveria vendos jo vetëm të tërhiqet prej tij pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, por t’i bëjë ndëshkimet edhe më të ulëta se qeveria Berisha, në raste të informalitetit.

10 – fishimi i gjobave nxorri në protesta tregtarët dhe pas ankimimit të bërë nga bizneset, në dhjetor gjykata kushtetuese vendosi shfuqizimin e supergjobave dhe automatikisht në fuqi mbeten gjobat e vjetra.

Disa muaj nga ky vendim, qeveria jo vetëm nuk bëri më asnjë përpjekje për t’i mbajtur të ashpra masat kundër informalitetit, por përkundrazi, pritet të kalojë në parlament një projektligj që parashikon gjoba disa herë më të ulëta se ato të vendosura një vit më parë dhe më pak ndërshkuese se gjobat e ligjit të vjetër.

Në draftin për procedurat tatimore, të kaluara të mërkurën nga qeveria, përcaktohet se për mosdhënien e kuponit tatimor, gjoba do të jetë 50 mijë lekë për të gjitha bizneset. Me ligjin e vjetër, gjobat ishin 200 mijë lekë për biznesin e madh dhe 50 mijë lekë për biznesin e vogël.  Ndërsa me ligjin e supergjobave, ky penalitet vjet shkoi në 500 mijë lekë.

Drafti i ri, për biznesin e madh parashikon që kur konstatohet moslëshim kuponi, ai kalon në rivlerësim për 3 muaj dhe në rast përsëritje, shkelja klasifikohet “evazion tatimor”.

Për mosdeklarim punonjësish, me ligjin aktual, gjoba është 500 mijë lekë për biznesin e madh dhe 50 mijë lekë për të voglin. Me supergjobat, ndërshkimi ishte 500 mijë lekë, ndërsa me ndryshimet e fundit pritet që gjoba ulet në 50 mijë lekë për të gjitha bizneset.

Nëse më parë Tatimet bënin kontrolle të papritura nëpër biznese, me Pr/Ligjin e ri Ministria e Financave detyron Tatimet që për çdo kontroll tatimor të njoftojnë biznesin të paktën 30 ditë përpara.

Tv Klan