Nga Blendi Fevziu – 

Taksia bëri kthesën e fundit dhe befas pamja normale një qyteti të zhuritur nga vapa e Mesdheut u transformua. Pallatet fëmiljarë dhe demode të ndërtuar në vitet ’80 – ‘ 90 më stilin tipik Athinas u zhdukën dhe në kthesën e parë, qyteti sikur kishte ngrirë në kohë. Disa vila tipike italiane të viteve 30 – 40, shumica të braktisura, qëndronin si vagonat e një treni, ndërsa e vetmja gjë që kishte lidhje me kohën qenë bukanvilet çiklamin që derdheshin nga avllitë e tyre të rrënuara. Në fund të rrugës dalloheshin muret veneciane të qytetit, përpara dhe mbi lartësinë e të cilave, qarkonte një tel i dendur me gjemba. Rruga nuk kishte dalje. Në mes të saj, aq sa lejohej për të parë në anën tjetër, ishte vendosur një barrikadë me fuçi të dyfishta. Mbushur me rërë, të rënda, edhe ato me tela me gjemba përmbi. Një tabelë e madhe e shkruajtur në 3 gjuhë të botës mbante shënimin: 

“UN buffer zone – No Photography – No Litter Please”!

Përtej saj, nën një zonë që me gjasë nuk i përkiste askujt, ecte një patrullë me tre ushtarë. Dy burra dhe një grua, ata ecnin me hapin tipik të një formacioni ushtarak, 2 para dhe një i tretë mbrapsht për të mbrojtur shpinën!

  • Nuk mund të shkojmë më tej, më tha Seferis, shoferi i taksisë, aty fillon zona Turke. 

Kisha mbërritur në Qipro me idenë për të parë qytetin e fundit në botë të ndarë me një mur, Nicosian, kryeqytetin e vendit, që prej 43 vitesh vijon të jetojë një jetë krejt të diferencuar. Një pjesë nën administrimin e Qipriotëve turq dhe një tjetër nën atë të qipriotëve grekë. Në mes të të dyja anëve, qëndrojnë ushtarët britanikë dhe irlandezë të OKB – që ruajnë një prej mureve më paqësore të botës, por njëkohësisht edhe më të dhimbshmin, atë që quhet Muri i gjelbër. Edhe emri i tij është befasues. Nuk ka lidhje me pemët që në qytet janë kaq të bukura, por me lapsin jeshil, me të cilin, një oficer britanik shënoi mbi hartë kufirin mes dy komuniteteve që prej afro një gjysëm shekulli jetojnë të ndarë.

Qipro është një prej destinacioneve të rëndësishme turistike të Europës, e njohur për plazhet e saj, kulturën mikse dhe rrënojat arkeologjike, por Nikosia, qyteti në qendër të ishullit, larg plazhit, tërheq më shumë turistë se sa pjesa tjetër. Me përjashtim të rusëve që nuk afrohen në këtë zonë, sepse s’ka as hotele luksi dhe as dyqane të shtrenjta, të gjithë turistët e tjerë preferojnë të ecin në rrugët e ngushta shekullore të qytetit, duke ndjekur gjarpërimin e një kufiri të improvizuar, shumë të ngjashëm me murin e Berlinit që u shemb në 1989.

Jo vetëm Nikosia, por gjithë ishulli jeton i ndarë që prej vitit 1974. Ishulli i skajshëm europian, përballë Afrikes, Qipro ka qenë gjithnjë një pikë e rëndësishme strategjike që nga mesjeta. Për një kohë të gjatë ishte bastion venecian, derisa më 1580 atë e pushtuan krejtësisht osmanët. Pas largimit nga Kruja dhe pas një tentative të dështuar për t’u kthyer dhe rifituar zotërimet e gjyshit, Gjergj Kastrioti, nipi i Skënderbeut, vdiq dhe u varros në Famagusta. Osmanët e mbajtën ishullin de fakto deri në vitin 1878, por de jure deri më 1918. Në tre shekujt e sundimit te tyre, shumë turq nga Anadolli ishin vendosur në ishull dhe shumë vendas ishin konvertuar në Myslimanë. 

Britanikët që morën sundimin e ishullit e përdorën si një bazë të rëndësishme ushtarake, sidomos në vitet e luftës së dytë botërore. Pas mbarimit të saj, në ishull nisi një luftë për pavarësi, e drejtuar nga Peshkopi Makarios III. Britanikët nuk pranuan dhe e izoluan peshkopin në ishujt Seishell, në jug të Afrikës, por pas 2 vitesh u detyruan ta pranojnë pavarësinë e Qipros. Por me kushtin që ishulli të ishte i pavarur dhe të mos bashkohej me Greqinë. Pavarësia e 1960 solli në pushtet Makariosin, por ky i fundit nuk i ndali dot konfliktet mes qipriotëve grekë dhe atyre turq. Të parët, duke u ndjerë më të sigurtë, nisën një përplasje me minoritetin dhe në 1964, vetëm 4 vjet pas pavarësisë, të dy komunitetet filluan të jetojnë të ndarë. Vetë Nikosia u nda nga një linjë e gjelbër që garantohej nga OKB. Më 1974, një grup pro bashimit më Greqinë, të ndihmuar nga Athina rrëzuan Makarion dhe nisën procedurën e bashkimit me Greqinë. Po ato ditë, trupat turke zbarkuan në ishull, pushtuan pjesën që banohej nga qipriotët turq, vendosën një kufi të imponuar dhe e ndanë më shumë se 40 përqind të territorit. Greqia nuk reagoi dot dhe sot, 43 vjet më pas, Qipro është ende e ndarë. Pamja më simbolikë e kësaj ndarjeje, nuk është Nikosia, por Famagusta, qyteti dikur më i rëndësishëm i ishullit, i rrethuar me mure veneciane. Famagusta, ku ndodhet edhe kështjella e Otellos, ka plazhet më të bukura të ishullit dhe në periferinë e saj, gjendet një lagje kryesisht kristiane, e quajtur Varosh. Në vitet ’60 Varosha ishte një qytezë me resorte luksoze dhe me një jetë shumë intensive. Kur ushtria turke hyri, e gjithë popullata e qytetit u detyrua të largohet. Pak myslimanë u vendosën në Famagusta ndërsa të krishterët u përzunë në anën tjetër. Ata u larguan ashtu siç ishin, vetëm më plaçkat e trupin. Ushtria turke e rrethoi zonën dhe prej 43 vjetësh aty nuk lejohet të hyjë askush. Pak vite më parë një trupë e BBC u arriti të filmojë në atë që e quajnë “Qyteti fantazëm”. Imazhet janë impresionuese. Resotet janë braktisur siç ishin në atë moment, me valixhet dhe rrobat e turistëve të shpërndara nëpër dhoma. Në parkingje janë ende makinat e viteve ’70 – të, ndërsa banesat bosh kanë mbetur si në momentin që pronarët e tyre u larguan, madje disa edhe me pjatat e shtruara në tavolinë. Askush nuk ecën në bulevardet e dikurshme dhe rrugët janë pushtuar nga bari dhe shkurtet. Ky është qyteti i vetëm modern fantazëm në botë, që në një farë mënyrë, të kujton historinë e Pompeit në Itali. Mbi telat me gjemba që rrethojnë nga të gjitha anët Varoshën, dallohet vizatimi i një ushtari turk me automatik dhe fjalët e shkruajtura në tre gjuhë: “Mos kaloni këtu – Nuk lejohet fotografimi”!

Nga larg, dallgët e detit të mrekullueshëm, përplasën në shkallët e resorteve, ku prej një gjysëm shekulli nuk hyn dhe nuk del njeri. Ndërsa turistët e rinj, zgjaten deri tek telat me gjemba për të perceptuar sa më mirë shkretimin dhe braktisjen që nis përtej tyre.

  • Mund të kaloj në anën tjetër, e pyes Seferisin, shoferin e taksisë që është fshehur nën hijen e madhe të një peme për t’i shpëtuar diellit.
  • Vetëm në Ledra Street, më thotë, dhe bën me shenjë me kokë nga thellësia e shtëpive antike të qytetit. 

Qipriotët janë shume të ngjashëm me grekët, turqit, por edhe shqiptarët. Janë të sjellshëm me të huajët dhe nuk pushojnë së foluri. Ankohen për gjithçka, por njëkohësisht e mbyllin çdo bisedë me fjalët: shyqyr zotit jemi mirë! Duket sikur ndajmë një kulturë jetese dhe një lloj sjelljeje. 

Ledra street është rruga qëndrore e Nikosia, rruga e dikurshme më e rëndësishme e saj, diçka e ngjashme me bulevardin tonë, e ndarë si shumë rrugë të tjera në mes me të gjitha llojët e mjeteve rrethanore. Fuçi të ndryshkuara, thasë me rërë, tela me gjemba dhe pengesa betoni. Në mes të saj është hapur një tunel i ngushtë, në anë të së cilës qëndrojnë fare pranë njëri tjetrit, nën çatinë e së njëjtës kioskë, polici qipriot grek dhe ai turk. Turistët lejohen të kalojnë nga një anë në tjetrën dhe prej disa kohësh edhe banorët e zonës. Turistët, kryesisht ata perëndimorë qëndrojnë të duruar në rradhë dhe i përgjigjen me korrektesë më shumë se 20 pyetjeve që policët respektivë i bëjnë si rutinë. 

  • Ju tani do të hyni në territor të okupuar, flet si robot polici greko qipriot. Autoriteti i Republikës së Qipros nuk shtrihet dot aty dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi për ju. Me të kaluar këtë postbllok ju jeni përgjegjës për sigurinë dhe jetën tuaj. Doni të kaloni?

Të gjithë marrin të njëjtën përgjigje: Po, ndërsa pas saj nis biseda tjetër:

  • Ju jeni në Republikën Turke të Qipros…

Qyteti duket sikur është mësuar me ndarjen. Madje jeton me të. Pranë njërës prej pengesave që mbyll rrugën me popullore të qytetit, është ngritur një bar që mban emrin Check Point Charlie. Një lloj ironie me postbllokun e famshëm të Berlinit, ku ndahej Gjermania Lindore me atë Perëndimore. Po në Ledra street, fare praë vendit të kontrollit, një tjetër bar përdor fuçitë e kufirit dhe thasët e saj si karrige dhe tavolina për turistët entuziate. Që nuk mungojnë kurrë. Por nëse Check pointi i Charlit ka mbetur tashmë vetëm një stoli, ky i Nikosias, është një check point i vërtetë, një monument ndarjeje dhe padyshim urrejtje që nuk ka munguar prej gjysëm shekulli në këtë vend.

Rrugët e qendrës janë të mbushura plot dhe pas telave me gjemba, jeta ndryshon rrënjësisht. Në pjesën turke ka pak investime dhe qyteti ruan më shumë imazhin që ka pasur edhe 40 vjet më parë. 

Hipi sërish në taksi dhe nëpër rrugicat e qendrës më shfaqen e më zhduken sërish telat me gjemba dhe thasët më rërë që ndajnë kufirin më të cuditshëm në botë. 

  • Si shkoni me qipriotët turq, pyes Seferisin, që cuditërisht duket se ka një kombinim mes emrit mysliman dhe S tipike kristiane.

Burri gjallërohet. Është krejt e kundërta e taksistit të mefshtë që mban varur tek pasqyra tespiet tipike orientale. Më sqaron se kanë shkuar gjithnjë mirë, se janë vëllezër, por se gjërat i prishin politikanët.

  • Ata e kanë biznes sherrin, më kupton, biznes. 

Kthen kokën aq shpesh nga unë për të parë impresionin e fjalëve të tij, sa kam frikë se do përlasemi. Pastaj befas nis të më flasë në turqisht. Më sqaron se gjyshja dhe gjyshi i tij kanë jetuar mes turqve, flisnin turqisht dhe se ai e ka mësuar gjuhën prej tyre dhe e ruan. 

Nuk e di sa i sinqertë është në fjalët e tij sepse një kërkim i thjeshtë në internet tregon të kundërtën. Edhe pse në vitet e fundit shpresa e bashkimit është kthyer sërish. 

Më bën përshtypje se shumica e rrugëve më Limassol, qyteti i dytë më i madh i ishullit mbajnë emra turq, madje edhe të sulltanëve. Një rrugë quhet Selimi i II, një tjetër Fevzi Pasha dhe shumë të tjera të ngjashme. Në kështjellën e qytetit, varri i vetëm është një varr monumental osman, që besoj se i përket njërit prej ish vezirëve të Perandorisë, që vdiq si guvernator i ishullit. 

Limasoli duket si një qytet i pushtuar nga rusët. Tabelat e rrugëve dhe dyqaneve janë thuajse të gjitha në greqisht dhe rusisht dhe vetëm aty këtu në anglisht. Rusët janë dyndur herët në këtë ishull të ngrohtë, falë paketave turistike, por edhe një politike shumë liberale të dhënies së shtetësisë. Për të marrë pasaportën qipriote, që është pasaportë e një vendi të BE të mjafton të investosh aty për 3 vjet mbi 500 mijë euro. Qofshin këto edhe para për blerjen e një banesë ose pronë të palujtshme në ishull. Vendi nuk duket i pasur, por GDP për kokë e Qipros është më madhe se e Greqisë, është ndër të lartat në botë dhe vendi përpunon fonde të mëdha financiare në bankat e tij të famshme. Pasanikët e rinj rusë, duket se janë vendosur në vila dhe banesa dukshëm cilësore, reklamimi i të cilave bëhet kudo në rrugët dhe vitrinat e qytetit.

Qipro është sot së bashku me Korenë, vendi i vetëmi ndarë në botë. Por nëse Korea vijon të jetojë më dysh për arsye ideologjike, Qipro gjarpërohet nga një kufi telash me gjemba falë njërës prej arsyeve më të hershme të botës, ndasive etnike. Ishulli nuk po ngrihet dot mbi to, me gjithë ndihmën e BE dhe me këshillat e thuajse gjithë fuqive të botës. Zhvillimi i këtyre viteve, ka mbetur pezull, varur në një moment marrëzie kolektive, në një përplasje të 53 viteve më parë, që tashmë është bërë fatale për kaq breza. Jam i bindur se shumë prej të rinjve nuk dinë asgjë për vitin e largët 1964 kur në Nikosia nisi ballafaqimi etnik dhe as për 1974, kur tanket turke, vunë një kufi që ekziston ende. Shumë prej tyre i shohin si lodra ushtarët e OKB – së, me kaskat ceremoniale blu dhe me armatim të rëndë. Një armatim që s’ju është dashur ta përdorin asnjëherë, ndërsa gjarpërojnë nëpër rrugicat e njërit prej qyteteve më të vjetër të botës, përgjatë një kufiri telash me gjemba, thasësh rëre dhe turistësh që zgjasin kokat gjithë kërshëri, për të parë një tabllo, që bota thuajse e ka harruar…