PD ka akuzuar qeverinë për dështime dhe premtime të rreme gjatë këtyre 7 vjetëve. Në një postim në rrjetet sociale, Dorian Teliti thotë se pensionistët shqiptarë qëndrojnë në radhë të dëshpëruar për të marr sipas tij një dëmshpërblim qesharak.

“Rama, një histori 7-vjeçare dështimesh e premtimesh të rreme. Në radhë e të dëshpëruar, 670 mijë pensionistë shqiptarë të mbetur në mëshirë të një shpërblimi qesharak prej 50 mijë lekësh. Të patrajtuar financiarisht dhe të harruar nga qeveria e klientelës, pensionistët janë të detyruar të presin lëmoshën e qeverisë. Shqipëria ofron ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj – më pak se çdo vend i botës”.

Sipas përfaqësuesit të PD-së, Rama ka sjellë vetëm rrënim ekonomik tek qytetarët. Ai shkruan në Facebook se qytetarët shqiptarë janë gjëja e fundit që i interesojnë Edi Ramës.

“Gjëja e fundit që i intereson atij dhe qeverisë së tij jemi ne qytetarët e Shqipërisë. Pas 7 vite dështimesh, ajo që mund të ofrojë Rama gjithnjë e më shumë dështime. Është koha për ndryshim. Ndryshim për pensionistët, të rinjtë e të rejat, bizneset, ata që kanë humbur vendin e punës dhe ata që mezi po e mbajnë punën. Ndryshim për të gjithë shqiptarët që duan një jetë më të mirë”. /tvklan.al