Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjendja në doganën e Kapshticës vazhdon të mbetet e rënduar. Radhë të gjata dhe pritje disa orësh nën temperaturat e ulëta. Si ditë feste dogana greke nuk ka punuar fare gjatë ditës së djeshme duke i lënë emigrantët të presin në tokën greke.

Që nga mëngjesi sakë hyrë në Shqipëri rreth 1500 emigrantë, që kërkojnë të festojnë pranë familjeve. Por në këtë ditë feste, orëve të gjata të pritjes iu shtuan dhe çoroditjet e linjave të autobusëve. Asnjë nga emigrantët që kishin prerë biletën e udhëtimit në agjencinë e autobusëve, filialet në Greqi, nuk e dinte se përse duhet të ndërronte autobusin pikërisht në anën greke të doganës.

Kjo bëri të mundur që përveç radhëve të gjata të ishte e pranishme dhe rrëmuja. Kjo çoroditje kushtëzoi dhe abuzimin me rritjen e biletave të furgonëve taksi, të cilët e prisnin gjahun e tyre në pjesën shqiptare të kësaj dogane. Çmimi i këtyre biletave arriti kulmin, ku për të udhëtuar drejt Tiranës duhej të paguaje 100 euro për person, ose të kaloje natën nën temperaturën disa gradë nën zero.

Ndërkohë, drejtuesit zyrtarë në policinë e Devollit thonë se nuk janë në dijeni të këtij fenomeni. Ata shtojnë, se në akset rrugore që kanë nën administrim gjenden patrulla policie, kryesisht ato të qarkullimit rrugor për të shmangur aksidentet. Për abuzimin e çmimit të biletave, policia sqaron se për këtë duhet të kryejnë kontrollin e tyre tatim taksat.

Në aksin rrugor Korçë-Kapshticë gjatë këtyre ditëve, nuk është parë ndonjë patrullë e policisë tatimore që të ushtrojë kontroll, apo të kërkojë mbështetjen e forcave të policisë, bëjnë të ditur zyrtarë të komisariatit të Bilishtit./tvklan.al