Një sulm me raketa ruse në një institucion arsimor në portin ukrainas të Detit të Zi të Odesa vrau të paktën 5 persona dhe plagosi 32 të tjerë. Guvernatori rajonal Oleh Kiper bëri të ditur se 8 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, duke përfshirë një fëmijë 4-vjeçar. Mes të plagosurve ishte një tjetër fëmijë dhe një grua shtatzënë. Pamjet tregojnë çatinë e ndërtesës e cila është shkatërruar pas sulmit. Sulmi u krye nga një raketë balistike Iskander-M të cilat janë më të vështira për t’u kapur nga forcat ukrainase.

Në sfondin e sulmeve intensive presidenti Volodymyr Zelensky një konferencë të përbashkët shtypi në Kiev së bashku me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh se armët amerikane kanë filluar të mbërrijnë në Ukrainë në sasi të vogla dhe se procesi duhet të ecë më shpejt.

“Mbështetje në kohë për ushtrinë tonë. Sot nuk shoh asgjë pozitive në këtë pikë. Ka furnizime, pak kanë filluar, ky proces duhet të përshpejtohet. Për sa i përket sistemeve të mëtejshme Patriot ne jemi duke punuar për të edhe pse nuk ka asgjë të qëndrueshme për këtë deri tani nga partnerët tanë.”

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se fluksi i armëve dhe municioneve tani duhet të rritet dhe se nuk është tepër vonë që Ukraina të mbizotërojë në fushën e betejës.

“Aleatët po shohin se çfarë mund të bëjnë më shumë, dhe unë pres njoftime të reja së shpejti. Unë kam qenë i qartë se nëse aleatët përballen me një zgjedhje midis përmbushjes së objektivave të aftësisë së NATO-s ose mbështetjes së Ukrainës, ata duhet të mbështesin Ukrainën. Pra tani, përgjegjësia jonë është të sigurojmë që këto njoftime të kthehen në dërgesa reale, sa më shpejt të jetë e mundur.”

Stoltenberg përshëndeti gjithashtu edhe ligjin e  mobilizimit të miratuar së fundmi dhe e shihte Ukrainën si një anëtare të ardhshme të aleancës ushtarake dhe u shpreh që anëtarët e NATO-s të bien dakord në korrik në samitin e Uashingtonit për një “angazhim të madh financiar shumëvjeçar” për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë.

Klan News