Me shumë mundësi ngërçit politik i vjen fundi. Ka qenë Presidenti i Republikës, i cili bëri një ftesë tjetër për dialog mes palëve duke marrë përsipër organizimin e një takimi mes kryeministrit Rama dhe liderit te opozitës Basha, ftesë qe të dy palët e pranuan.

Negociatorët mes palëve kane punuar pa pushim ditët e fundit dhe më shume gjasë në tryezën e ndërmjetësuar nga Presidenti do të dilet me një marrëveshje. Burime të Televizionit Klan thanë se presidenti i Republikës është shprehur i gatshëm që kjo tryezë të zhvillohet brenda ditës së sotme, por u takon palëve të vendosin duke e shtyrë atë për në orët në vijim. Burime pranë qeverisë thanë se kryeministri Rama ka këmbëngulur që takimi të zhvillohet po sot ndërsa pritet një përgjigje nga ana e Partisë Demokratike.

Pika e vetme qe mbetet ende pa zgjidhje është ajo e datës së mbajtjes së zgjedhjeve.

Burime te sigurta nga Partia Demokratike i pohuan Televizionit Klan se kjo forcë kërkon që mbajtja e zgjedhjeve të mbahet të paktën me 30 korrik. Ndërkohë që është bërë e ditur, që vetë kryeministri Rama kishte renë dakord edhe me parë gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga McAllister dhe Fleckenstein që data e zgjedhjeve mund të shtyhej deri me 16 korrik, por jo me tutje.

Por në suazën e zhvillimeve më të fundit ku presioni për evitimin e një thellimi me të mëtejshëm të krizës politike në vend po rritet, duket se mazhoranca mund ta pranoje edhe këtë propozim të PD-së në mënyre që t’i hapet rrugë hyrjes së saj në zgjedhje. 

Opozita, përveç datës se zgjedhjeve duket se ka shtruar edhe kërkesa të tjera që prekin edhe një riformatim të përbërjes së qeverisë në sektorë që kanë lidhje me zgjedhjet si dhe çështje të tjera teknike organizative, pika të cilat do të merren në shqyrtim nga kryeministri Rama.

/Tv Klan