“Gjoba për ata që ndotin, kujdes me ndarjen e plazheve”

Kryeministri iu përsëriti kryetarëve të bashkive ultimatumin për të vendosur në listën e prioriteteve të buxhetit, fondet për pastrimin, por kësaj here në takimin me kryebashkiakët e zonave turistike, si dhe task forcën për mjedisin ai më shumë se kërcënues kërkoi bashkëpunim me ta për sezonin e ardhshëm turistik.

Mirëkupton ankesat e tyre se kostot e pastrimit nuk përballohen me taksën që ju mblidhet familjeve dhe bizneseve, ndaj propozon diferencimin e taksave për këto kategori në zonat bregdetare.

Propozon po ashtu rritje të sanksioneve për ndotësit. Ju kërkon të kenë kujdes në ndarjen e zonave të plazheve private për të mos u përsëritur ngjarje si ato të Velipojës.

Policisë së Shtetit i kërkon të monitorojnë territorin për të mos toleruar krimet mjedisore. I jep ultimatum shefit të policisë së Shkodrës për të bashkëpunuar me kryebashkiaken Ademi sapo ajo i shprehu shqetësimin për situatën me disa venddepozitime të paligjshme mbetjesh.

Kryetarin e Lezhës e veçoi sërish për rezultatet e pastrimit në Lezhë, ndërsa pyllin e Sodës në Vlorë si shembullin ku plehrat janë kthyer në material për t’u studiuar nga arkeologët.

Një tjetër masë që kërkon të merret është ajo për adresimin e ndotjes akustike nga muzika e lartë që thotë se është bërë shqetësuese për çdo turist vendas dhe të huaj.

Tv Klan