Pas marrëveshjes me opozitën, tonet e Kryeministrit në adresë të saj janë zbutur. Në Devollin që qeveriset në nivel lokal nga një përfaqësues i Partisë Demokratike, kreu i qeverisë u përpoq të evidentonte shembuj bashkëpunimi mes dy forcave më të mëdha politike në vend.

Në inspektimin e punimeve për rikualifikimin urban të qendrës së Devollit, në krah të Kryebashkiakut Bledion Nallbati, Kryeministri siguroi se nga ana e qeverisë bashkëpunimi do të jetë gjithnjë i pranishëm në dobi të qytetarëve, gjithmonë mbi bazë projektesh konkurruese.

Gjatë vizitës në qarkun e Korçës, Kryeministri Rama pa nga afër edhe punimet për rikonstruksionin e segmenteve rrugore që lidhin kryqëzimin e rrugës nacionale Korçë-Bilisht me fshatrat Tërovë, Rov, Rrëmbec, Orman, Kuç, Shamboll e Belorta, pjesë të Bashkive Korçë dhe Maliq.

Pjesë e investimeve të qeverisë është edhe Shkolla e Mesme e Bashkuar Rrëmbec, në Maliq e rindërtuar nga e para, që do të hapë dyert për 300 nxënës vitin e ardhshëm shkollor. Kryeministri Rama ishte edhe në Kombinatin e Teknologjisë së fundit për përpunimin e mishit në Korçë.

Tv Klan