Pak pas mbylljes së votimeve për zgjedhjet e përgjithshme, Kryeministri Edi Rama i ka nisur një mesazh kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, të cilëve u kërkon mobilizim total për të numëruar çdo votë, ndërsa u kërkon që të tregojnë qetësi e durim ndaj çdo provokimi.

Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë shprehet se sipas të gjitha të dhënave timonin do ta ketë Partia Socialiste.

Rama thekson se është e nevojshme që procesi të jetë i pastër dhe i pakontestueshëm.

“Sipas të gjitha të dhënave timonin do ta kemi. Ju lutem, ju lutem, ju lutem mobilizim total për çdo votë në numërim dhe qetësi e durim ndaj çdo provokimi! Na duhet proces i pastër dhe i pakontestueshëm. Rroftë Partia Socialiste!

Rroftë çdokush që ka punuar dhe po punon për qëllimin tonë të drejtë!

 

Rroftë çdo njeri i zakonshëm i këtij vendi që na ka besuar dhe mirëkuptim i plotë për këdo nuk na ka votuar. Tani përqendrim maksimal dhe disiplinë shembullore, për ta çuar me nder, deri në numërimin e votës së fundit këtë betejë historike për Shqipërinë që duam”./

tvklan.al