Pas takimit që zhvilluan në Kryeministri, shefja e lartë e BE, Federica Mogherini dhe Kryeministri Edi Rama dolën sëbashku në një konferencë për shtyp.

Mogherini theksoi edhe njëherë se Shqipëria ka arritur shumë përgjatë një viti, veçanërisht me miratimin e Reformës në Drejtësi. Si shefja e Diplomacisë Europiane, ashtu edhe Kryeminstri Rama theksuan rëndësinë e zbatimit të Vettingut.

Ajo theksoi sërish se bojkoti i Parlamentit vonon Vettingun dhe pengon çeljen e negociatave.

“Pas një viti nga vizita ime e fundit, Shqipëria ka arritur shumë dhe sidomos pas miratimit unanim të Reformës në Drejtësi, e cila është e një rëndësi shumë të madhe, e njohur nga BE vjet me vendimin nga Komisioni Europian, që të rekomandonte çeljen e negociatave. Ne jemi gati për të çelur negociatat, tani e keni radhën ju, pasi ne jemi të gatshëm të shikojmë ritmin e kësaj reforme. Bojkoti i Parlamentit do të thotë bllokimi i krijimit të komisionit të Vettingut dhe de facto kjo ndal progresin dhe kjo në një moment kur vendi ka mundësinë e vërtetë që të ecë përpara. Unë e kam përçuar këtë mesazh fare qartë. E di se ka pasur sinjale sot për dialog brenda Parlamentit dhe shpresoj të përdoret kjo hapësirë në mënyrë që të këtë mundësi në këtë rrugë. Negociatat mund të fillojnë në momentin që Reforma në Drejtësi të nisë zbatimin e saj. Ne me zor presim t’ju urojmë mirëseardhjen në Bashkimin Europian”.

Mogherini foli gjithashtu edhe për zgjedhjet, për të cilat u shpreh se është kyçe që të ketë përgatitje, që të jenë të lira e të ndershme. 

“Unë besoj se është kyçe që të ketë përgatitje për zgjedhjet që të jenë të lira dhe të ndershme. Në këto muaj që kanë mbetur të përdoret kjo kohë për të zbatuar disa rekomandime të OSBE/ODIHR-t dhe Bashkimi Europian do të jetë i gatshëm t’ju ndihmojmë”

.

Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama e konsideroi vizitën e Mogherinit tepër të rëndësishme. Ai tha se gjatë takimit që patën u ra dakord që puna për 5 prioritetet kyçe duhet të vazhdojë intensivisht.

“Kjo vizitë është më e rëndësishme në ditë të zakonshme. Për këtë arsye ne patëm edhe një bashkëbisedim miqësor dhe konkret. Jemi në një mendje, që ndërkohë puna me 5 prioritetet kyçe duhet të vazhdojë intensivisht sepse do të na shoqërojnë edhe përtej hapjes së negociatave. Pa dyshim që prekëm edhe çështje të natyrës rajonale, por për to do të diskutojmë edhe në darkën e përbashkët të punës, pasi duke marrë në konsideratë edhe ngarkesën e ditës së sotme dhe emocionet e mbledhura ballkanike, e quaj të udhës ta ndaj në dy pjesë këtë bisedë, duke e diskutuar rajonin në tryezën e mikpritjes shqiptare”. 

/tvklan.al